VV: Pushteti nuk e do as të drejtën e as të vërtetën për Astritin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: Pushteti nuk e do as të drejtën e as të vërtetën për Astritin

    Insajderi
    16 December 2016 - 20:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të Kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tha se Prokuoria e Shtetit nuk e njeh raportin e autopsisë së ekspertëve të pavarur të publikuar sot.

    Raporti i autopsisë, i bërë nga ekspertët e pavarur, ka konfirmuar se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë. Por, në raport thuhet se vdekja e tij ka qenë e dhunshme ndërsa në pikën katër të raportit konkludohet se ka shenja të vetëmbrojtjes nga i ndjeri.

    VV, përmes një kumtese të lëshuar për medie, ka shprehur shqetësim për faktin se, siç thonë ata, sistemi i drejtësisë së Kosovës po e pengon procesin e zbardhjes së vdekjes së Astrit Deharit.

    “Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme që institucionet e drejtësisë të pengojnë zbardhjen e vdekjes të një qytetari në një institucion të sigurisë. Këto institucione, të cilat që nga 5 nëntori nxorrën vetëm deklarata kontradiktore dhe një raport jokredibil të autopsisë, të shpërfillin raportin e publikuar nga mjeko-ligjorët e pavarur që është i bazuar në fakte dhe dëshmi, përveç se në autopsinë e trupit të pajetë të Astritit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

    Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, raporti i autopsisë së Astrit Deharit, i bërë nga ekspertët e pavarur të angazhuar nga familja Dehari, sjellin më shumë fakte rreth vdekjes së aktivistit të ndjerë të VV-së.

    “Ky raport dallon nga ai zyrtar edhe në shumësinë e fakteve që sjellë, edhe me konsistencën ligjore që e ngërthen në vete. Dhe fakti që prokuroria po refuzon ta përdorë këtë raport tregon se ajo nuk e do as të vërtetën e as drejtësinë për Astritin. Tregon se prokuroria ka përgjigje negative për kërkesën e familjes, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarëve të shumtë për hetim të pavarur”, thotë Vetëvendosje.

    Të dhënat e raportit të sotëm bien ndesh me raportin e komisionit mjekësor që përgatiti raportin e parë për vdekjen e tij, përmes së cilit konstatohej se Dehari ka bërë vetëvrasje.

    Në atë raport thuhet se “vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri.

    I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë.  Ai vdiq më 5 nëntor.

    Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.

    Prej pasdites kur u dha lajmi se në qendrën e paraburgimit në Prizren, kishte vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që mbahej nën dyshimet se kishte bashkëorganizuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, janë organizuar një numër marshesh e protestash. /Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark