Konkursi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Iber-Lepenci” për pozitën e “Auditorit të brendshëm” ka rezultuar me punësimin e bashkëshortes së kreut të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Mentor Hysenit. Kaltrina Hyseni doli e para nga 13 kandidatë që aplikuan për këtë pozitë.
Gazeta Insajderi
Në konkursin e hapur me 4 korrik të 2023’ës për pozitën “Auditor i Brendshëm” në ndërmarrjen hidroekonomike “Iber-Lepenci” aplikuan gjithsej 13 kandidatë. Prej tyre, 10 kishin plotësuar kushtet për këtë pozitë.
Sipas procesverbalit të publikuar nga kjo ndërmarrje, thuhet se në testin me shkrim kishin marrë pjesë gjashtë kandidatë, ndërsa në intervistën me gojë morën pjesë vetëm tre prej tyre.
Pas intervistës dhe testit me shkrim e para doli Kaltrina Hyseni. Ajo mori 150 pikë, duke lënë prapa kështu dy kandidatet tjera.
Përzgjedhjen e znj.Hyseni e ka konfirmuar për Insajderin edhe nga ndërmarrja “Iber-Lepenc”.
Kaltrina Hyseni është bashkëshortja e kreut të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Mentor Hysenit. I njëjti ishte edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 2019’ës, por që nuk kishte marrë votat e mjaftueshme nga qytetarët për këtë post.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Mentor Hysenin për të marr një koment lidhur me përzgjedhjen e gruas së tij, por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet.
Ish kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet Mentor Hyseni dy vite më parë ishte emëruar në pozitën e anëtarit të Bordit të AKP-së, ndërsa me 7 qershor 2023 ishte ngritur në detyrë më vendim qeveritar.
Ai u emërua në krye të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Hyseni po vazhdon përkrahjen për kryeministrin Albin Kurti. 10 ditë më parë Hyseni shpërndau në profilin e tij në Facebook një video të publikuar nga “Kingu Shqiptarisë“, ku paraqitet kreu i qeverisë. Në mbishkrim të kësaj video thuhet se “A keni besim të #Kryeministri dhe lideri i jon Albin Kurti se do të na përfaqsoj në mēnyrën më brilante dhe dinjitoze në bisedime përball vuqiqt dhe serbis ..?”.
Kujtojmë se, në tetor të 2022’ës në pozitën e kryeshefit ekzektiv të KOSTT’it u emërua Evetar Zeqiri. I njëjti është vëllai i bashkëshortes së Mentor Hysenit.
Mentor Hysenin kishte konfirmuar relacionin e tij familjar me Evetar Zeqirin, duke thënë se punësimi i Zeqirit nuk ka lidhje me të.
Zeqiri ishte i punësuar edhe në qeverinë Kurti 1 ku përveç këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ai në qershor të vitit 2021 ishte zgjedhur edhe njëri prej anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, bord ky i zgjedhur nga qeveria, ndërkohë që Mentor Hyseni ka qenë, kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”.
Vëllai i gruas së Hysenit të VV-së emërohet kryeshef i ri i KOSTT-it
Të dhënat nga raporti i deklarimit të pasurisë, në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), të vitit 2022, tregojnë se ai përveç anëtar i bordit në AKP, ai mban edhe 6 vende të tjera të punës, përfshirë edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës ku paguhet me kompensim e që paga e tij vjetore me këto vendet të punës kap shifrën mbi 38 mijë euro./Insajderi.org/