Një kontroll rutinë për xhamat e errësuar të një automjeti është shndërruar në një incident të rëndë mes zyrtarëve policorë dhe një qytetari në Prishtinë. Viktima e këtij rasti, B.V ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës përdorimin e forcës, fyerjet dhe dëmtimin e pronës private nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Incidenti ka ndodhur pas mesnatës së 11 prillit në afërsi të rrethit të Çagllavicës.
Sipas denoncimit të siguruar, gjithçka nisi kur policia ndaloi djalin e B.V për shkak të foljeve në xhama.
Me të arritur në vendngjarje, B.V, i cili është edhe invalid i Luftës së UÇK-së, pretendon se është përballur me një sjellje tejet arrogante dhe agresive.
Ai pretendon se gjatë kohës që po tentonte të dokumentonte ngjarjen me telefon, një zyrtar policor i identifikuar si Besim Paqarizi, ia ka marrë telefonin me forcë duke ia dëmtuar dhe më pas ka përdorur dhunë fizike ndaj tij.
“Më ka kapur me forcë për dore, ma ka shtrembëruar dhe më ka mbështetur për veturë. Edhe pse i thashë që po më shkakton dhimbje dhe jam invalid, zyrtari u përgjigj se ‘ka dëshirë me ma thy dorën’”, thuhet në denoncimin e qytetarit.
Ndonëse qytetari pretendon se arsyeja e ndalimit ishin xhamat e zinj, në raportin zyrtar të konfiskimit të mjetit, polici ka shënuar si arsye “Mungesën e patentë shoferit”.
B.V hedh dyshime se ky është një tentim për të manipuluar procesverbalin me qëllim arsyetimin e konfiskimit të mjetit dhe përdorimit të forcës.
Për më tepër, denoncuesi ka ngritur shqetësime për nepotizëm, duke pretenduar se zyrtari i përfshirë ka mburrur lidhjet e tij familjare me eprorë të lartë brenda strukturave të Policisë së Kosovës për t’u shmangur llogaridhënies.
Lidhur me këtë, Insajderi ka adresuar pyetje zyrtare drejt Inspektoratit Policor të Kosovës, të njëjtit kanë konfirmuar se janë duke u marrë me rastin..
“Inspektorati Policor ka pranuar ankesën e qytetarit B.V dhe e njëjta do të trajtohet konform autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.