Isa Xhemajlaj, kandidati i NISMA-s për kryetar në Komunën e Drenasit, e ka pranuar humbjen e tij në këtë komunë dhe ka uruar kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovci, për fitoren e arritur.
Ai tha se i tërë arsenali shtetëror ishte përkujdesur që të PDK-ja të dalë fituese në këto zgjedhje.
“Sonte mund të ju them se kemi pritur një rezultat më të mirë. Duke pasur parasysh se i gjithë aparati shtetëror ishin përqendruar në Drenas, nuk mbetët asgjë tjetër vetëm se t’i falënderoj qytetarët e Drenasit për demokracinë”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar kandidatin e pavarur në Komunën e Drenasit, Xhavit Drenori, për tradhti në balotazh, ku kishin lidhur një koalicion kundër kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci.
Xhemajlaj tha se në Drenas për herë të parë është thyer bastioni i PDK-së, duke e çuar Drenasin në balotazh.
“I jam mirënjohës shtabit zgjedhor që e kanë kryer punën e vetë, pavarësisht se e kishin vështirë”, u shpreh Xhemajlaj.
Tutje kandidati i NISMA-s e ka falënderua Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Partinë Fjala. Xhemaljlaj tha se do të rikandidojë prapë në zgjedhje e ardhshme që pritet të mbahen rreth 8 muaj më vonë. /Insajderi.com