Mëngjesin e së premtes është dhënë lajmi për ndarjen nga jeta të kuzhinieres së njohur, Fikrije Ukelli – Ceka.
Ajo u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, duke lënë prapa një karrierë të suksesshme në emisionin e gatimit, “Diçka po zihet”.
Ngushëllime për vdekjen e saj kanë shprehur emra të shumtë, ndër ta edhe kolegia e saj shumë e njohur, Xheraldina Vula.
Xheri e cila për vite me radhë drejtoi emisionin “Diçka po zihet”, ku Ceka ishe protagoniste, publikoi një fotografi të koleges së saj të ndjerë në InstaStory, duke e shoqëruar me një dedikim pikëllues.
“Ceka na la. Të qoftë dheu i lehtë, pusho qetë partnerja ime e kuzhinës televizive, Fikrije Ukelli – Ceka”, ka shkruar Vula në InstaStory.
Xheri gjithashtu publikoi një sërë fotografish nga emisionet ndër vite me Cekën, duke e quajtur një ikonë të kuzhinës shqiptare tashmë të ndjerën.
E ndjera Ukelli është edhe autore e librave “1000 receta”, dhe “Receta me gatime tradicionale”.