Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, Armend Muja dhe Dimal Basha, tashmë dihet botërisht që e adhurojnë liderin e tyre, Albin Kurtin. Por, kjo treshe e famshme si duket nuk po i bën përshtypje liderit. Ai ka vendosur t’i lë jashtë strukturave të partisë.
Mefail Bajqinovci e ka arritur ‘kulmin’ e famës pas publikimit të një fotografie me Albin Kurtin, e cila është bërë virale në ditën e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Të dy në fotografi shihen të buzëqeshur.
“Po i tregoja një ndodhi familjare, që më ka ndodhur mua para mysafirëve, por nuk është për publikun me tregu”, pati thënë Bajqinovci, duke e lënë kurioz publikun sot e asaj dite, shkruan Insajderi.
Bajqinovci teksa thurte lavde për Kurtin që t’i hyjë sa më shumë në qejf, kishte thënë se është njeri besimplotë, patriot dhe i ditur. “Tek Albini mëson që politika e qeverisja nuk janë për të vjedhur, gënjyer e mashtruar por vendi i shërbimit ndaj vendit e popullit të tij”.
I dashur dhe servil ndaj liderit, jo më pak është treguar edhe Armend Muja.
“Kryeministri Kurti do të përfundojë si lider i Kosovës. Vetëm Albin Kurti mund të jetë përgjegjës për rrëzimin e Albin Kurtit. Albin Kurti do të jetë i pakonkurrencë në 10 vitet e ardhshme”, kishte thënë Muja.
Për ta ngritur sa më shumë liderin, deputeti Dimal Basha pati eskaluar fuqishëm në fyerje.
Duke e ofenduar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, Basha kishte thënë se “Kurti t’i palon 50 Rrahmana”.
“Nuk lëshon pe Albin Kurtin, e njohin që nuk lëshon pe. S’i ka lëshu pe Vuçiqit, s’i ka lëshu pe Grenellit, e Rrahmana 50 në ditë t’i palon. Mos e merr seriozisht Rrahmanin për shkak të veprimeve të këqija. Paramendoje njeri po donë të bëhet hero duke i lënë fëmijët pa shkolla”, pati deklaruar Basha.
Por, shqyerja e gurmazit në lëshimin e deklaratave bombastike duket se i ka shkuar huq treshës së famshme.
Asnjëri prej të treve nuk janë në kryesinë e partisë. Ndoshta Kurti nuk iu beson ende meqë secili prej tyre ka shumë pak vjet kontribut në Lëvizjen Vetëvendosje. /Insajderi