Mbrëmja e së premtes (17 korrik) ishte magjike për mijëra adhurues të muzikës në Shkup, ku Yll Limani mbajti koncertin e tij, duke sjellë energji të jashtëzakonshme dhe duke interpretuar hitet më të njohura të repertorit të tij. Megjithatë, një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte dedikimi emocionues që artisti i bëri njërit prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, Shpat Kasapit.
Gjatë koncertit, Ylli ndaloi performancën për të shprehur publikisht vlerësimin e tij për ndikimin që Shpat Kasapi ka pasur në rrugëtimin e tij artistik.
“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar”, u shpreh këngëtari me emocione para publikut.
Ai vijoi duke kujtuar lidhjen e tij të hershme me muzikën e Shpatit:
“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime. Zemra po më plaste”.
Menjëherë pas këtyre fjalëve prekëse, që emocionuan të pranishmit, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit.
Ky gjest i rrallë respekti dhe kolegialiteti u prit me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga publiku shkupjan, të cilët u mbushën me emocione duke kujtuar këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi.
@three60.music Ylli’s heartfelt words about Shpat Kasapi tonight in Shkup. 🫶🏻 #shpatkasapi #ylllimani #shkupi #viralalbania ♬ original sound – Three60 Music