Kufijtë e Kosovës janë kufij kombëtarë për të cilët është i obliguar edhe shteti shqiptar. Kështu i ka thënë Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, në një takim të mbajtur të enjten në Tiranë.
Ymeri, që në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga deputeti Albin Kurti, njoftoi se në takim me presidentin e Shqipërisë e ka njoftuar atë për situatën politike në Kosovë “por edhe gjendjen e shqiptarëve në rajon”.
“I thashë Presidentit se kufijtë e Kosovës janë kufij kombëtarë për të cilët është i obliguar edhe shteti shqiptar. Biseduam për nevojën e koordinimit të dy shteteve për çështjet rajonale, duke filluar nga mekanizmat për bashkëpunim ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.
“Kemi ndarë me z. Nishani përvojën e Kosovës në çështjen e drejtësisë me ç’rast treguam se “drejtësia ndërkombëtare” ka rezultuar si legjitimuese e korrupsionit lokal”.