Ende pa kaluar një javë Qeveria e Albin Kurtit ka pësuar tri goditje të forta.
Duke nisur nga e shtuna e kaluar, kur Qeveria e pranoi Asociacionin, duke vazhduar me rëniet milionëshe gjatë javës në Trust, dhe për ta përmbyllur me rrëzimin e Ligjit të Këshillit Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese.
Rrëzimi i Ligjit të Këshillit Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshmen në tërësinë e tij Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në korrik të vitit 2022, PDK dhe LDK e kishin dërguar për shqyrtim në GJK ndryshimet që ishin bërë në këtë ligj, pas dyshimeve se ato ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, të mbështetura edhe nga Këshilli Prokurorial, Oda e Avokatëve por, në esencë, edhe nga Avokati i Popullit sa i përket çështjeve që ndërlidhen me kompetencat e tij dhe të kundërshtuara nga Ministria e Drejtësisë, ndërlidhet me cenimin e pavarësisë kushtetuese të Këshillit Prokurorial”, thuhet tutje.
Rëniet milionëshe në Trust
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është deklaruar për humbjen e kursimeve të qytetarëve të Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi ky institucion ka thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.
Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj.
Konkursi ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë, shkruan Gazeta Insajderi.
Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit, ka thënë se janë duke i ndjekur diskutimet publike për gjendjen e investimeve, dhe ka zbuluar për Gazetën Insajderi humbjet që ky institucion i ka pasur këto ditë, duke sqaruar se mjetet nën menaxhim trajtohen në dy portofole investuese: 1. Portofolin Standard (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit deri në moshën 63 vjeçare); 2. Portofolin Konservativ (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e më shumë).
“Mjetet e kontribuuesve të Portofolit Standard kanë në përbërje investimet që kanë kthim potencial dhe risk më të lartë, andaj edhe kanë luhatshmëri më të lartë. Për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta. Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro”, thotë Demi për Gazetën Insajderi.
“Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët. Ky është edhe portofol nga i cili pensionohen kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e lartë, te cilët nuk prekën nga luhatjet në tregjet financiare dhe edhe në këto kushte kanë kthim pozitiv për vitin 2023. Kjo është edhe kategoria më e ndjeshme në këso situata, dhe kjo zgjidhje ka dhënë efekt shumë të kënaqshëm”, ka sqaruar ai për Gazetën Insajderi.
Asociacioni
Kryeministri Albin Kurti ishte deklaruar të shtunën e kaluar pas takimit 12 orësh në Ohër.
“Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë”.
“Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin të bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, tha Kurti atë ditë, shkruan Gazeta Insajderi.
“E sa për ankesin e zbatimit ai do të publikohet ne webfaqen e BE dhe aty do ta lexoni dhe do ta kuptoi çka ka edhe çka nuk ka”.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë De Facto”, thoshte Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurti u pyet edhe për pikën 7, aty ku flitet për vetmenaxhimin.
“Është vet menaxhim, unë jam kryeministër i të gjithëve pa dallim etnie andaj angazhohem për të gjithë – jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët, dhe të tjerët”, tha tutje ai, shkruan Gazeta Insajderi./Gazeta Insajderi/