
Mbrëmë nga zyrtarët policor të drejtorisë rajonale të policisë së Prishtinës, i është shqiptuar masa e arrestit policor të dyshuarit për rastin “Vrasja në tentativë”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:15, në rrugën “Ferid Curri” në Prishtinë, ku për pasojë viktima sipas Veriu Info, Behar Halili i njohur si “Arusha”, 36 vjeç, ka mbetur i plagosur.
I njëjti është transferuar menjëherë në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Ndërkohë që kanë vazhduar veprimet hetimore të policisë, është identifikuar për tu ndaluar më pas i dyshuari;
I dyshuari është Erjon Hasani, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Policia ka konfirmuar se ndaj të njëjtit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Vrasja në tentativë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Gjatë procedurës hetimore, nga i njëjti është sekuestruar një armë zjarri e llojit “Sig-Sauer”, me një karikator dhe tre fishekë, armë kjo e cila dyshohet se është përdorur në rastin në fjalë.
Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, Halili ishte i përfshirë edhe në disa raste të mëparshme, përfshirë një incident të rëndë të ndodhur në vitin 2024, ku pati përdorim të armës së zjarrit.
Në atë rast, përveç Halilit, të përfshirë ishin edhe Mentor Beqiri dhe Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”./Insajderi