Ditën e djeshme bashkëshorti i Angela Martinit, Dragos Savulescu ra në prangat e policisë në Mykonos. Sipas medias greke Protothema, biznesmeni rumun Dragos Savulescu është arrestuar bashkë me një person tjetër në ishullin e famshëm, ku ka shpenzuar shifra marramendëse në restorante dhe jahte. Për kapjen e tij u përfshinë zyrtarët e Nën Drejtorisë së Policisë së Mykonos.
Ndërkohë media rumune Stirileprotv.ro, raporton se Savulescu ishte në shoqërinë e një krimineli shumë të rrezikshëm në momentin e arrestimit nga policia. Kjo rëndon pozitën e tij përpara drejtësisë, por avokatët po përpiqen që këto prova të mos merren parasysh nga gjykata.
Nga ana tjetër, Angela ka vendosur që orët e fundit të fshijë lokacionin nga fotot që ajo ka publikuar këto ditë në Instagram. Gjithashtu modelja ka fshirë të gjitha postimet nga Insatstory i saj, duke zgjedhur që të mos reagojë fare për këtë çështje.
Ishte Angela ajo që e çoi bashkëshortin e saj drejt arrestimit, për shkak se kohët e fundit ishte mjaft aktive në rrjete sociale. Një indicie për arrestimin e Dragos, ishte fotoja që Angela Martini publikoi nga pushimet e saj në Greqi.
Ajo postoi në rrjetet sociale një foto të tyre ku po drekonin së bashku me shoqërinë, ndërsa pak më vonë një mikeshë e tij ndau me ndjekësit imazh ku tregoi dhe vendodhjen ku po qëndronin, në një restorant lukosoz në Mills. Këto mund të qenë disa nga detajet që kanë shërbyer për zbulimin e vendqëndrimit të tij.
Kujtojmë se në fillim të vitit 2019 Dragoș Savulescu, u dënua me 5.5 vjet burg, për përfshirjen e tij në një skandal të madh ekonomik në Rumani së bashku me ish-kryebashkiakun e Konstancës, Radu Mazare, Cristi Borcea dhe të pandehur të tjerë që u shpallën fajtorë për përvetësimin e një totali prej 114 milionë eurosh.
Pas vendimit të autoriteteve gjyqësore, ai u arratis në Itali, konkretisht në Napoli, për t’u arrestuar përfundimisht ditën e djeshme në Mykonos nga Rojet Bregdetare, të cilët së bashku me zyrtarët e Nën Drejtorisë së Policisë së Mykonos organizuan një operacion të madh për arrestimin e tij.
Urdhri i arrestit për Savulescu u lëshua nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve rumune për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe për mashtrim kundër shtetit. Ai u dërgua te Prokurori i Apelit i Syros për ekstradim tek autoritetet rumune. Savulescu nuk i rezistoi arrestimit.