LB-1 ndodhet 15,000 vite dritë larg nga Toka dhe ka një masë 70 herë më shumë se Dielli, sipas revistës ‘Nature’.
“Rruga e Qumështit vlerësohet të përmbajë 100 milionë vrima yjore, por LB-1 është dy herë më e madhe se sa shkencëtarët kishin menduar se ishte e mundur”, tha Liu Jifeng, një profesor në Observatorin Kombëtar Astronomik të Kinës i cili drejtoi studimin.
“Vrimat e zeza të një mase të tillë nuk duhet të ekzistojnë as në galaktikën tonë sipas shumicës së modeleve aktuale të evolucionit të yjeve,” shtoi ai.
Shkencëtarët besojnë se ekzistojnë dy lloje të vrimave të zeza. Më shpesh, vrimat e zeza të yjeve janë deri në 20 herë më të mëdha se Dielli, gjë që formohet kur shkatërrohet qendra e një ylli shumë të madh, transmeton KosovaPress.
Vrimat e zeza supermasive janë të paktën një milion herë më të mëdha se Dielli dhe origjina e tyre është e panjohur.
“Shkencëtarët besojnë se një yll tipik në Rrugën e Qumështit devijon shumicën e gazrave me ndihmën e erërave yjore, duke parandaluar shfaqjen e një vrimë të zezë me madhësi LB-1”, thotë Liu.
“Tani teoricienët do të duhet t’i përgjigjen sfidës dhe të shpjegojnë shfaqjen e saj,” shkroi ai në një deklaratë.
“Astronomët thjesht po përpiqen të kuptojnë bollëkun e vrimave të zeza dhe mekanizmat që qëndrojnë pas tyre”, thotë David Reitze, një fizikan në Institutin e Teknologjisë Caltech, i cili nuk ishte i përfshirë në zbulim.
Observatori Caltech ka zbuluar më parë valë hapësinore-kohore që sugjerojnë mundësinë e vrimave të zeza në galaktikat e largëta që janë shumë më të mëdha se sa ato që shkencëtarët mendojnë se janë të mundshme.
Vrimat e zeza të yjeve zakonisht krijohen pas shpërthimeve të supernovës, një fenomen që ndodh kur yjet shumë të mëdhenj digjen në fund të ‘jetës’ së tyre.
“Rasti LB-1 ‘tregon se është një lloj i ri i vrimës së zezë të krijuar nga mekanizma të tjerë”, thotë Reitze.
LB-1 u zbulua nga një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve që përdorin teleskopin kinez LAMOST.
Të dhëna shtesë nga dy nga teleskopët më të mëdhenj optikë në botë në Spanjë dhe SHBA kanë konfirmuar madhësinë e LB-1, të cilën shkencëtarët kinezë e kanë cilësuar si fantastike.
“Shkencëtarët zbulojnë vrimat e zeza me ndihmën e rrezatimit që lëshojnë, por metoda ka kufizime, pasi mund të aplikohet në një numër të vogël të sistemeve të vrimave të zeza, në të cilat yjet e tjerë rrotullohen pranë një vrime të zezë dhe lëshojnë rrezet e zbulueshme”, thotë Liu.
Në vend të kësaj, skuadra zbuloi LB-1 duke ndjekur lëvizjet e “një numri të madh të yjeve me kalimin e kohës” dhe ishte në gjendje të zbulonte LB-1 bazuar në lëvizjen e yllit të ‘partnerit’.