Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Armend Zemaj, ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të tij për komunën e Istogut, duke kujtuar investimet e realizuara gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë.
Sipas Zemajt, Istogu ka qenë ndër prioritetet e tij institucionale, ku është realizuar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), janë siguruar pajisje moderne mjekësore dhe është mbështetur avancimi profesional i mjekëve të rinj përmes specializimeve.
Ai ka theksuar se edhe gjatë mandatit si deputet ka propozuar projekte dhe iniciativa të rëndësishme për zhvillimin e Istogut, përfshirë projektin e Bollovanit dhe projekte të tjera kapitale, të cilat, sipas tij, nuk kanë marrë mbështetjen e qeverisë aktuale.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në ditën e zgjedhjeve të mbështesin LDK-në, të cilën e cilësoi si subjekt politik të përkushtuar ndaj shtetit, qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror.