×
Analiza

Zemaj thotë se ka oksigjen të mjaftueshëm – MSH e SHSKUK ‘mbyllen’, nuk tregojnë për sasinë në stok

Insajderi
08 December 2020 - 11:14
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Që nga 10 nëntori, dhe në vazhdimësi deri më 5 dhjetor, Gazeta Insajderi, ka kërkuar të di se a ka oksigjen të mjaftueshëm, dhe nëse po, për sa ditë ose muaj ka rezerva, por nuk ka marrë as edhe një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar.

Njomza Salihi

Për shkak të mungesës së oksigjenit në Spitalin Rajonal të Gjilanit, mjekët janë detyruar t’i bartin disa pacientët për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas këtij rasti që ka ndodh dje, Spitali i këtij qyteti ka dalë me një reagim publik, ku e ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn.

“Armend Zemaj vetëm sa për selfie dhe konsum ditor po premton zgjidhjen e këtij problem”, thuhet në reagimin e Spitalit, të cilin më pas e kanë fshirë nga faqja zyrtare shkruan Gazeta Insajderi.

Katër ditë më parë ka qenë vetë Zemaj i cili është zotuar se ka oksigjen të mjaftueshëm nëpër spitalet rajonale dhe jo vetëm.

“Paniku i krijuar për oksigjen është i pabesueshëm, andaj, qytetarët dhe të gjitha pacientët e spitaleve regjionale, duhet të besojnë se siguria e pacientëve është maksimale”, ka thënë Zemaj, shkruan Gazeta Insajderi.

“Oksigjeni është furnizim elementar, prandaj jo vetëm për të por për të gjitha nevojat e pacientëve, ne jemi këtu”.

Ndryshe prej deklaratave të Zemajt, institucionet shëndetësore, nuk kanë treguar sa oksigjen ka në stok, pavarësisht insistimet të Gazetës Insajderi.

Që nga 10 nëntori, dhe në vazhdimësi deri më 5 dhjetor, Gazeta Insajderi, ka kërkuar të di se a ka oksigjen të mjaftueshëm, dhe nëse po, për sa ditë ose muaj ka rezerva, por nuk ka marrë as edhe një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar.

Këto dy institucione që mbikëqyrin sistemin shëndetësor në vend, janë mbyllur plotësisht, dhe nuk japin asnjë detaj – kur bëhet fjalë për oksigjenin, gazin medicinal, i cili është elementar në trajtimin e të prekurve me virusin SARS-Cov-2.

Në kohën kur pandemia nga Covid-19 është në kulmin e saj, spitalet kanë edhe një problem tjetër përpos mungesës së oksigjenit.

InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi, dy javë më parë ka transmetuar dokumentarin: “Misteri i Oksigjenit në Kosovë”, i cili ka gjetur se në spitalet rajonale nuk është ofruar oksigjen nga kompanitë e licencuara, do të thotë nuk është ofruar gaz medicial, por industrial.

Në Kosovë janë vetëm dy kompani të licencuara për ofrimin e gazit medicinal: “Medical Group” dhe “Medica”, ndërkohë spitalet kanë marrë gaz edhe nga kompani të tjera.

Edhe për këtë çështje as ministria e udhëhequr nga Armend Zemaj dhe as shërbimi spitalor i udhëhequr nga Valbon Krasniqi, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për InDoks dhe Insajderin.

Si pasojë e virusit që ka prekur gjithë botë – deri tash në Kosovë – kanë vdekur 1 mijë e 120 persona, derisa pozitiv kanë rezultuar 43 mijë e 324 të tjerë./Gazeta Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark