Zëri: Kryetari i AGK-së ka inate personale ndaj gazetës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëri: Kryetari i AGK-së ka inate personale ndaj gazetës

    Insajderi
    14 December 2016 - 15:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Redaksia e gazetës Zëri – përmes një reagimi publik – ka mohuar pretendimet e gazetares Senada Halimi se është larguar nga puna vetëm pasi menaxhmenti i gazetës ka kuptuar se ajo është shtatëzënë.

    “Gazetares Senada Halimi nuk i është shkëputur kontrata, pasi që kontrata ekzistuese i është respektuar në tërësi, por nuk i është vazhduar kontrata e re për vitin 2017. Kjo për faktin se bashkë me gazetaren Halimi, kontrata nuk i është vazhduar edhe gjashtë punëtorëve të tjerë.Vendimi për këta punëtorë është ndërmarrë bazuar në performacën e tyre”, thuhet në reagimin e Zërit.

    “Në gazetën “Zëri” ka punëtore të tjera shtatëzëna, të cilave u është vazhduar kontrata. Pra nuk është e vërtetë që vendimi është marrë për këtë arsye”, thuhet tutje në reagim.

    Për më tepër, redaksia ka akuzuar kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj, se është duke bërë fushatë ndaj gazetës, në të cilët ai ka qenë i punësuar për afër një vit.

    “Kjo është vetëm një  tendence e kreut te AGK-se,  Shkëlqim Hysenaj, i cili  ka qenë i punësuar në “Zëri” për tetë muaj. Atij gjatë kësaj periudhe i është ndryshuar pozita, por jo edhe paga, duke iu respektuar kështu kontrata e punës”, thuhet në reagimin e Zërit.

    “Ai me vetëkërkesë ka dhënë dorëheqje nga pozita dhe me pas ka deponuar një ankesë në Inspektorat të Punës për gazetën “Zëri”.  Pas shqyrtimit të gjitha fakteve,  Inspektorati merr vendimin me nr. 06-28-1/16, ku ka vendosur se ankesa e Shkëlqim Hysenajt është e pabazuar”.

    Tutje, redaksia thotë se Hysenaj nuk ka reaguar si kryetar i AGK-së në disa raste kur gazetarë të Zërit janë ankuar në këtë organizatë për kërcënime.

    “Ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje  me fushatën e Hysenajt kundër “Zërit”.  Hysenaj edhe pse i votuar për të përfaqësuar të gjithë  gazetarët e Kosovës, pa dallim, ai nuk ka reaguar në shume raste të kërcënimeve te gazetareve, siç është rasti i fundit i redaktores së fotografisë, Laura Hasani, e cila është kërcënuar të dielën që lamë pas nga disa serbë lokal gjatë  punës së saj në Mitrovicën e Veriut”.

    Por, Hysenaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se në AGK vendimet për reagime merren me shumicë të votave të anëtarëve dhe ka mohuar të ketë ndonjë agjendë kundër Zërit.

    “Në këtë rast të kolegës në fjalë, reagimi ka qenë i mbeshtetur unanimisht nga të gjithë anëtarët e bordit dhe paraprakisht është diskutuar para se të votohet. Personalisht asnjë agjendë nuk e kam ndaj asnjë indvidi aq më shumë mediumi”, ka thënë ai.

    “Prej se jam në pozitën e keryetarit të AGK-së asnjherë s’kam tentuar të shtyje përpara ide ose veprime për të cilat flet gazeta në fjalë( për këtë janë transkriptet dhe të gjitha vendimet në letër si dhe dëshmitarë anëtarët e asociacionit). Fsheja e gazetës “Zëri” përmes sulmit ndaj meje dhe lidhja kinse për qëllime personale e vërteton dhe e vulosë së në çfarë mënyre aty trajtohen punëtorët”, ka shtuar ai.

    “Personalisht nuk do të ndalem, do të vazhdoj që bashkë me kolegët e mi të avokoj dhe të mbrojë të drejtat e çdo anëtari e derjta e të cilit shkelet. Unë jam i lumtur që ne si bord kemi zgjidhur dy tre raste të njejta duke dërguar lëndë në inspektoriat ndërsa rekomandojmë gjithë kolegët që të mos heshtin karshi presioneve, shantazhave, apo të drejtave të tyre që u shkelen nga punëdhënësit.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark