Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të partisë politike Lëvizjes Vetëvendosje në Këshillin e Përgjithshëm përveç të arriturave ka pasur edhe disa porosi për delegatët e këtij subjekti politik. Ai ka thënë se zgjedhjet janë “çështje muajsh”, teksa ka pasur një kërkesë për drejtuesit e qendrave të VV’së nëpër komuna.
I pari i VV’së ka shpërndarë të plotë fjalimin e tij të mbajtur nga tubimi i Këshillit të Përgjithshëm i kësaj partie politike. Ai ka kërkuar nga aktivistë e drejtues qendrash që të jenë më kërkues ndaj deputetëve, minsitrave e zëvendësministrave.
“Nuk është aspak ide e keqe, e përkundrazi, është shumë e mirë, që asambleistët, deputetët, e të gjitha figurat që konsiderohen qendrore, të përfshihen në organizimin tonë, që nga niveli i parë organizativ. Bëhet shumë më atraktive e serioze një mbledhje e Pikës në X fshatin, kur të pranishëm e ka edhe deputetin dhe asambleistin përkatës. Si drejtues të qendrave është me rëndësi që t’i mendoni këto gjëra në këtë drejtim, e të jeni më kërkues edhe ndaj deputetëve, ministrave, zëvendësministrave e anëtarëve të kryesisë qëndrore të Lëvizjes”, deklaroi pos tjerash Kurti.
“Tashmë nuk ka dyshim që zgjedhjet janë çështje muajsh. E kur dimë gjëra që janë të afatizuara, nuk ka arsye apo shkaqe që të jemi të papërgatitur. Kështu që, unë ju bëj thirrje edhe nga këtu sot, që ditët e javët në vijim t’i maksimalizojmë përpjekjet tona në realizimin e objektivave tona në mënyrë që procesi zgjedhor të na gjej të mirëstrukturuar, të përgatitur dhe të gatshëm për betejat e radhës që na presin”, shtoi ndër të tjera Kurti.
Herën e fundit që partia në pushtet ka mbajtur Këshillin e Përgjithshëm, është shfrytëzuar objekti i Administratës së UP’së për qëllime politike.
Nga aty, Kurti dhe partia e tij janë siguruar të paraqesin qëndrime politike. Aty shiheshin edhe logot e Lëvizjes Vetëvendosje. /Insadjeri.org/