Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili tha se në këto zgjedhje ka mbi 15 mijë votues më shumë në listën e votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e votuesve, e cila pra do të përdoret për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues, çka do të thotë se kjo listë përmban 15 mijë e 884 votues më shumë se lista e votuesve e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.
Sipas tij, nga numri i përgjithshëm i votuesve, 1 milion e 959 mijë e 962 qytetarë do të votojnë në vendvotime në Kosovë, ndërsa 132 mijë e 212 shtetas janë regjistruar për votim jashtë vendit.