Insajderi
Biznes

Zgjedhjet në Rusi, akuzohen Google dhe Facebook për ndërhyrje

Insajderi
09 September 2019 - 16:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rregullatori i komunikimeve në Rusi akuzoi gjigantët amerikanë të teknologjisë, Google dhe Facebook, për shkelje të legjislacionit që i ndalon reklamat politike gjatë zgjedhjeve.

Roskomnadzor i bëri akuzat të hënën, një ditë pasi Rusia mbajti zgjedhjet lokale.

Në përgjigje të akuzave, Google tha se ka mbështetur “reklamim të përgjegjshëm politik”, që është në përputhje me legjislacionin vendor.

Facebook tha se reklamuesit – jo kompania – janë përgjegjës për zbatimin e ligjeve lokale të zgjedhjeve.

“Nëse marrim njoftimin se një reklamë shkel legjislacionin lokal, ne e shqyrtojmë atë dhe marrim masa”, tha Facebook, shkruan REL.

Roskomnadzor tha se veprimet e dy kompanive të internetit janë “të papranueshme” dhe se mund të vlerësohen si “ndërhyrje në çështjet sovrane” të shtetit.

Legjislacioni i ndalon reklamat politike në ditën e zgjedhjeve, si dhe një ditë më parë, dhe rregullatori tha se ka kërkuar nga Facebook dhe Google që të mos lejojnë reklama politike gjatë atyre ditëve.

Roskomnadzor nuk tha nëse do të ndërmarrë masa ndëshkuese.

Në gusht, Roskomnadzor ka akuzuar kompaninë Google për promovimin e protestave që janë mbajtur gjatë gjithë verës në Moskë për kandidatët e pavarur dhe të opozitës që nuk janë lejuar të garojnë për zgjedhjet në kryeqytet.

Moska ka akuzuar edhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Deutsche Ëelle-n, transmetues i financuar nga shteti gjerman, për inkurajimin e protestave.

SHBA-ja dhe Deutsche Ëelle i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pabaza.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark