×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Zhdukja e biznesmenit me 80 mijë franga me vete, Insajderi sjell emrat e të arrestuarve dhe detaje nga Dosja

Insajderi
23 January 2024 - 13:37
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Më 10 janar të këtij viti nga familja ishte deklaruar në Polici i zhdukur biznesmeni nga Gjilani, Musah Hamiti. Një hetim për zhdukjen e tij kishte nisur, kjo pasi që ai u raportua se me vete kishte edhe 80 mijë franga.

Hetimet që po kryen Prokuroria Themelore në Gjilan kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin- rrjedhimisht edhe dërgimin në paraburgim të dy shtetaseve të Shqipërisë.

Insajderi, nga burime brenda Gjykatës merr vesh se një gjykatës i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të dërguar në paraburgim Silvana Dulellarin e lindur në vitin 1984 dhe . Marinela Markoviç e lindur në vitin 1989.

Të dyja këto shtetase të Republikës së Shqipërisë dyshohen se janë të përfshira në rastin që po hetohet si zhdukje.

Një burim brenda Prokurorisë i ka thënë Gazetës Insajderit që organi i akuzës dyshon se Dulellarini dhe Markoviç më  datë 09.01.2024, rreth orës 16:00h, në Gjilan, këto dyja me personat e tjerë ende të pa identifikuar, me qëllim të përfitimit kundërligjshëm pasuror, e kanë rrëmbyer tani të zhdukurin Musah Hamiti, i cili është me vendqëndrim në shtetin e Zvicrës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë në Gjilan pasi që dy shtetaset e Shqipërisë, me persona që ende nuk i ka identifikuar Prokuroria, kur e kuptojnë se i zhdukuri Musah ka me vete shumën e të hollave në vlerë mbi 80 mijë frangash  e  i cili po me të njëjtën ditë është kthyer nga Hajvalia, pas që është liruar nga Qendra e Paraburgimit në Hajvali, ku kishte qenë në vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 25 ditëve, me të kthyer në Gjilan, me taxi, takohet me të pandehurat e pasi takimit me të njëjtat humb çdo gjurmë e tij.

Praktikisht, Prokuroria beson që se Dulellarini dhe Markoviç janë dy personat që e panë të fundit para se, sipas tyre, të zhdukej.

Dy shtetaset e Shqipërisë po dyshohen për rrëmbim, siç përshkruhet në nenin 191 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Vepra për të cilën po dyshohen Silvana Dulellari dhe Marinela Markoviç kap një dënim prej 15 vitesh deri në burgim të përjetshëm, raporton Insajderi.

Një gjykatës i Procedurës Paraprake i besoi Prokurorisë së Gjilanit dhe e miratoi kërkesën e tyre, prandaj dy të dyshuarat tash gjenden në paraburgim.

Dosjen që e ka parë Insajderi i janë bashkangjitur edhe një kallëzim penal nga Policia dhe deklaratat e shtatë dëshmitarëve, një fotoalbum dhe informacione në lidhje me biznesmenin Musah Hamiti, tashmë i zhdukur.

Insajderi do të iu mbaj të informuar për zhvillime të tjera në këtë rast.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark