![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Një ditë pas lajmit se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, ka dhënë dorëheqje zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka.
Uka e ka konfirmuar për Front Online dorëheqjen si akt moral pas skandalit të zhdukjes së mostrave nga instituti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se të mërkurën mbrëma ishte njoftuar për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha Haxhiu në koferencën për media.
Pas kësaj, Ministria e Drejtësisë ka pezulluar katër zyrtarë të Instituti të Mjekësisë: Nardi Sheqergjiu, Flutura Goga, Ilirjana Shala, Anila Lakna. /Gazeta Insajderi