×
  • Lajme
  • Insajderi

    Zhdukja e mostrave të Deharit, Haxhiu: Është shumë e lehtë të gjinden ata që janë të përfshirë në këtë veprim

    Insajderi
    24 February 2023 - 23:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu e ka konsideruar të lehtë gjetjen e personave të përfshirë në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Haxhiu tha se vetëm 3 persona kishin çelësat e vendit ku ruheshin mostrat e Deharit. Ajo ka spjeguar se ka një protokoll specifik se si ruhen mostrat brenda laboratorit.

    “Kemi kuptuar që vetëm 3 persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Pra, ka një protokoll se si ruhen mostrat, prandaj me një vullnet nga ana e prokurorisë mund të gjenden personat përgjegjësi”, ka deklaruar ministrja.

    Sipas Haxhiut, nuk ka mundësi që këtë veprim ta ketë kryer dikush jashtë Institutit

    “Meqë janë vetëm tre persona që i kanë pasur çelësat, atëherë shumë lehtë verifikohet kush është përgjegjës. Nuk ka gjasa që këtë gjë të bëjë dikush jashtë institutit. Po ashtu, mendoj që personi që e ka bërë këtë vepër, nuk ka qenë i vetëm, por po ka qenë i organizuar”, ka deklaruar tutje ajo.

    Haxhiu ka treguar se si e kishte kuptuar që mostrat e Deharit ishin zhdukur. Ajo ka thënë se nuk mundte ta besonte se kjo gjë kishte ndodhur.

    “Më 7 dhjetor 2022, unë jam njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, që janë zhdukur mostrat e Deharit. Në pyetjen time se si ka ndodhur kjo, ajo theksonte që mostrat janë zhdukur kur janë ndërruar frigoriferët e vjetër me frigoriferët e rinj. Kur e kanë verifikuar sipas kodeve, e kanë kuptuar që janë mostrat e Astrit Deharit”, ka deklaruar ajo.

    Haxhiu ka thënë se janë zhdukur 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit.

    “Në atë moment është kuptuar që mungojnë, sepse kur ka ndodhur nuk dihet”, ka shtuar ajo.

    Ajo ka thënë se mënjëherë e kishte njoftuar prokurorin Besim Kelmendi.

    “Sepse është akt i rëndë, është vepër kriminale”, ka theksuar ajo.

    Haxhiu ka thënë se pas zhdukjes së mostrave, të nesërmen kishte takuar personat përgjegjës.

    Gjithashtu, ministrja e ka komentuar edhe dorëheqjen morale të ish-zëvendësdrejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka më 9 nëntor 2022.

    “Ai ka dhënë dorëheqje, por sikur z. Naim Uka të mos jepte dorëheqje, unë do ta kisha shkarkuar. Kjo është e sigurt. Ai thoshte unë nuk di, unë nuk di, po çka din ti?”, ka pyetur Haxhiu tutje.

    Sipas ministres, zhdukja e mostrave të Deharit, është sulm ndaj qeverisë, minsitrisë së saj dhe vetë asaj.

    “Unë nuk i dorëzohem këtyre veprimeve kriminale”, ka deklaruar ajo.

    Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark