×
Analiza

Zhurma një ditore dhe heshtja disa javore e LDK-së dhe Prokurorisë – çka po ndodhe me rastin e planifikimit për atentate kundër zyrtarëve të kësaj partie?

Insajderi
03 March 2023 - 15:38
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Pasditja e mbrëmja e së mërkurës të 18 janarit, kishte kaluar me shumë lajme e zhurmë për një informacion që ishte planifikuar një atentat kundër zyrtareve të LDK-së. Ishte bash dita kur u bë i ditur edhe lajmi se kur do të niste gjykimi kundër ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve. Edhe pas më shume se dy javë pritjesh, Insajderi nuk ka marrë asnjë përgjigje se deri ku ka shkuar hetimi për këtë rast, as nga LDK e as nga Prokuroria.

Gazeta Insajderi

Paraditen e datës 18 janar, Gjykata Speciale në Hagë kishte bërë të ditur datën se kur do të niste gjykimi kundër ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Ky gjykim tashme ka nisur. Pasditen e së njëjtës datë, një lajm tjetër u bë publik: u dha informacioni se agjencitë gjermane të zbatimit të ligjit kishin interpretuar një grup që po planifikonte një atentat kundër disa zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kryetarit Lumir Abdixhiku, e deputetëve Avdullah Hoti, Arben Gashi e Armend Zemaj. Zemaj, deputet dhe i afërm i ish-komandantit t UÇK-së, Tahir Zemaj kishte shkuar në Polici për ta denoncuar rastin. Edhe debatet politike të asaj nate e patën këtë teme.

Edhe një pjese e mirë e lajmeve ishin po për këtë rast. Kanë kaluar disa javë dhe pas asaj zhurme, rastin e ka kapur një heshtje. Krejt çka dihet është që një rast është iniciuar në Polici. Për afro dy javë Insajderi nuk ka marrë asnjë përgjigje se deri ku ka shkuar hetimi për këtë rast, as nga LDK e as nga Prokuroria.

 Çka dihet deri tash për këtë rast?

Kërcënimet me vrasje ndaj kryetarit dhe kolegëve deputetë, në Policinë e Kosovës i denoncoi deputeti, Armend Zemaj.

Në ditën kritike, tha se ky informacion ka ngritur shqetësim në gjithë familjen dhe rrethin e tij. Teksa shtoi se kanë besim tek organet e rendit për zgjidhjen e rastit.

Kjo gjendje ka ngritur shqetësim për rrethin familjen dhe qytetarët kemi marrur mijëra mesazhe. Ne duhet të besojmë në organet tona pavarësisht të kaluarës të hidhurës që kam pasur unë por edhe LDK-ja. Nuk është mirë të dëgjojmë këto informacione shpresojmë që të merren veprimet e duhura. Momenti kur është njoftu policia gjithçka është në dorë të tyre”, deklaronte Zemaj në Kanal 10.

Deputeti madje, ka përmendur edhe eksponentët e VV-së, për të cilët thotë se po ta dijë nëse janë të përfshirë në një mënyrë në këtë atentat, do të ju shkoj te dera e shtëpisë.

Potencialisht si ideologji mund të jenë të ndërlidhur me VV-në. Me ditë që janë në VV i shkoj te dera kryetarit të VV-së ose të asaj partie, se kam dert atë punë. Nëse ata munden me pas ndikim. Te shohim çfarë po thonë policia dhe partnerët tjerë që kanë informacione. Është tepër e ultë me bisedu, dhe më e poshtër me dëgju që një shqiptar e dëshiron eliminimin”, tha tutje Zemaj.

Tentim atentatin e konfirmoi edhe kryetari i partisë. Abdixhiku tha se nuk ndihet i rrezikuar.

I pari i LDK-së para mediave deklaroi se Policia e Kosovës ka ofruar sigurinë e nevojshme me të marrë informacionin se po parashihet një atentat ndaj tij dhe disa deputeteve të LDK-së.

Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt”, u shpreh ai, duke mos dhënë detaje më të hollësishme.

Për atentati foli edhe nënkryetari i kësaj partie Kujtim Shala. Ai tha se atentati ishte planifikuar për arsye politike dhe se në plan për atentat janë të përfshira dy organizata.

Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosova, derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër të financojë ekzekutimin e këtij plani”, ka thënë Shala përcjell Insajderi.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se PK-ja është duke hetuar këtë rast duke e quajtur si “kaonsje”.

Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, konfirmoi Krasniqi për Insajderin.

Kërcënimi kundër Abdixhikut dhe vartësve të tij u raportua se u zbulua nga Shërbimi Sekret i Gjermanisë (BND). U raportua se agjencia sekrete gjermane kishte rënë në gjurmë të atentatorëve të cilët po planifikonin një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe vartëseve të tij.

Por, në një përgjigje zyrtare për Gazetën Insajderi, BND gjerman tha se çështjet që kanë të bëjnë me informacionin ose aktivitetet e mundshme të inteligjencës nuk i komentojnë.

Më tej, në përgjigjeni tyre thuhet se BND raporton vetëm tek qeveria Federale dhe komisionet sekrete të parlamentit.

“Në parim, Qeveria Federale nuk komenton kurrë publikisht çështjet që kanë të bëjnë me informacionin ose aktivitetet e mundshme të inteligjencës. Kjo nuk përbën një deklaratë mbi saktësinë e fakteve. Bundesnachrichtendienst i raporton Qeverisë Federale dhe komisioneve sekrete kompetente të parlamentit gjerman për temat përkatëse”, thuhet në përgjigjen e BND-së për Insajderin.

Asgjë serioze

Plani për vrasjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës doli të jetë thjeshtë një thashethemë. Shukrije Ismaili, e cila jeton në Gjermani, është burimi i këtij informacioni. Dora e dytë del të jetë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Hetimet e deritashme të Departamentit të Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës flasin për informacione joserioze të cilat nuk bazohen në asnjë informacion të shërbimeve sekrete perëndimore, mike të Kosovës.

Shukrija pretendon se punon në Policinë gjermane dhe se informatat i ka marrë në një chat të mediave sociale.

Informacionet flasin se një organizatë e quajtur “Syri i Popullit”, e afërt me prirje islamike e afërt me kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë “planifikuar atentate për vrasje të këtyre politikanëve.

Organizata “Syri i Popullit” është emër tashmë i njohur që sa vjet pas atentatit kundër avokatit, Azem Vllasi, i cili ishte plagosur nga Murat Jashari, i cili vdiq gjatë procesit gjyqësor.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte akuzuar Kurtin dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca si njerëz të lidhur me këtë organizatë terroriste. Por, gjykata nuk i ka vërtetuar asnjë prej këtyre pretendimeve.

Por, hetimet e deritashme të Departamentit të Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës flasin për informacione joserioze të cilat nuk bazohen në asnjë informacion të shërbimeve sekrete perëndimore, mike të Kosovës.

Sipas raportit, ky grup jeton në shtete të Evropës, por nuk përmendet në cilat konkretisht.

“Nga ky informacion rrjedh se kinse edhe një grup islamik paska dhënë një fond të hapur për atentate në Kosovë, në favor të Albinit”, thuhet në raportin e Policisë.

“Këtë informacion Shukrije Ismaili, ia dërgon deputetit Armend Zemaj, dhe sipas saj për këto informata ajo i ka njoftuar autoritetet Gjermane. Sipas informative që posedojmë ajo ishte inkuadruar në një rrjet në chat grup prej nga ka arritur t’i marrë këto informacione dhe kinse e njëjta punon në Policinë Gjermane”, thuhet më tej.

Në raport të Policisë nuk ka asnjë detaj se për këtë çështje ka dhënë informacion shërbimi sekret gjerman, BND.

Informatorja e Zemajt, Shukrije Ismaili, pretendon se ky grup “lidhet me një organizatë islamike si financuese” dhe një organizatë të quajtur “Syri i Popullit”, që do të kryente ekzekutimin.

Nuk përmendet asnjë person me emër se kush e udhëheq organizatën islamike dhe kush e udhëheq organizatën “Syri i popullit”.

“Pas marrjes së informative janë bërë verifikime dhe sipas te gjeturave kjo informatë ka ardhur nga e njëjta e cila jeton në Gjermani. Është kërkuar ndihma e autoriteteve gjermane që të verifikohet personi i apostrofuar”, thuhet më tej në raport.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark