×
  • Lajme
  • Insajderi

    Zhytja në dy afera brenda pesë muajve- Pazaret e ndërmarrjes së drejtuar nga ish-asamblisti i PDK’së

    Insajderi
    21 August 2022 - 18:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Brenda pesë muajve, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, është zhytur në dy afera të ndryshme. Të dy pazaret e kësaj ndërmarrje, janë drejtuar nga ish-asamblisti i PDK-së, Liridon Restelica, i cili aktualisht mbanë pozitën e kryeshefit të “Prishtina Parking”. 

    Në aferën e parë, kjo ndërmarrje kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës. Kjo ngjarje kishte ndodhur në muajin maj ku dhe ishte anuluar nga Komuna e Prishtinës.

    Ndërsa, tenderi i dytë, i nëshkruar nga i njejti person, peshon 750 mijë euro e që sipas Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, dyshohet së është kontratë e paligjshme dhe e dëmshme financiarisht. Ky tender ka të bëjë me “shërbim me softuer për menaxhimin me parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës”.

    Liridon Restelica ka qenë asamblist i PDK-së. Pastaj ai është afruar me Shpend Ahmetin gjatë kohës sa ka qenë pjesë e PSD-së. Ai ende publikisht shpërfaq afërsi me Ahmetin, ish-kryetarin e PSD-së. Një foto bashkë me të e ka të postuar si kryesoren në Facebook.

    Gazeta Insajderi

    AFERA 1: Si e kishte shpërblyer “Prishtina Parking” kompaninë e sigurimeve me tender 1.5 mln euro

    Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.

    Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. ka përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik.

    Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ndërmarrja ka përzgjedhur fituesin e tenderit pas negocimit me vetëm një kompani, “Besa Security”. Por më pas ishte anuluar ky tender.

    Anulohet pazari 1.5 milionësh i ‘Parking Prishtina’ me ‘Besa Security’

    Tenderi 1.5 milionë euro që u bë ndërmjet Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” dhe kompanisë së sigurimit “Besa Security” ishte anuluar më 19 maj. Ani pse ishte dhënë kundërligjshëm, arsyetimi i komunës për anulimin e kontratës milionësh nuk kishte të bënte fare me pazarin që kishin bërë “Prishtina-Parking” dhe “Besa Security”.

    Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, ky tender anulohet pasi kompania e sigurimit “Besa Security” nuk kishte sjellur Sigurimin e Ekzekutimit me kohë.

    “Ky aktivitet i prokurimit Anulohet në bazë të dispoziatave te LPP-se, për shkak qe Operatori Ekonomik që i është dhënë tenderi nuk ka sjellë Sigurimin e Ekzekutimit me kohë. Kërkesa për të sjellë sigurimin e ekzekutimit është bërë përmes email me datën 05.05.2022 ku u është lënë afati deri me 10.05.2022. Ndërsa Operatori Ekonomik është përgjigjur përmes emailit me datën 16.05.2022 me kërkesë qe ky afat te shtyhet deri ne fund te muajit Maj”

    “Andaj duke pas parasysh që vonesat në këtë rast e dëmtojnë interesin dhe paranë publike dhe shto shkakun që AK është detyruar të fillojë me procedurë më të shpejtë, andaj për shkak të vonesës se OE në dorëzimin e Sigurimit te Ekzekutimit, ne kemi vendosur ta anulojmë këtë tender për të mos pasur vonesa më të mëdha”, thuhet në njoftim.

    Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” më 17 maj të këtij viti kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.

    Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. ka përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik, shkruan Insajderi.

    Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit.

    Projekti parashihte identifikimin e shkeljeve tjera të trafikut në udhëkryqet kryesore të Prishtinës dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave dhe trafikut në përgjithësi.

    AFERA 2 – Detajet e tenderit mbi 700 mijë eurosh të ndërmarrjes së drejtuar nga ish-asamblisti i PDK-së

    Ish-asamblisti i PDK-së që ka mabjtur edhe disa pozita të tjera pubike, e që tash drejton “Prishtina Parking” e ka dhënë vulën në tenderin që peshon 750 mijë euro, derisa kjo kontratë është e dyshimtë, sipas Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Gazeta Insajderi sjell detajet.

    Liridon Restelica, kryeshefi i Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, e ka nëshkruar dhënien e një tenderi që kap vlerë e 750 mijë euro.

    Kontratën e ka fituar kompania nga Prishtinë, me emrin “INT Class Marketing”, e cila do të bëjë “shërbim me softuer për menaxhimin me parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës”, sipas përshkrimit të shkurtër të lëndës.

    Njoftimi për nënshkrimin e tenderit të negociuar është bërë më 27 korrik 2022, ndërsa ajo është publikuar menjëherë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kontrata e ndërrmrjes publike që menaxhohet nga komuna e Prishtinës, do të zgjas 36 muaj që nga nënshkrimi i saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    B52-Njoftimi-per-nenshkrimin-e-kontrates-4Download

    Vetëvendosje për kontratën e “Parking Prishtina”: E paligjshme dhe e dëmshme financiarisht

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka denoncuar kontratën e negociuar të “Prishtina Parking”.

    Ai ka shkruar se janë shpenzuar 750.000€ nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” për një aplikacion.

    Sveçla thotë se sipas çmimeve të tregut thuhet se e ka vlerën shumëfish më të ulët.

    “Po vazhdon shpërdorimi dhe keqmenaxhimi i pasurisë publike në Prishtinë. 750.000€ janë shpenzuar nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” për një aplikacion që sipas çmimeve të tregut thuhet se e ka vlerën shumëfish më të ulët”, ka shkruar Sveçla në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Asamblisti i VV-së ka kërkuar që të bëhet hetim ndaj kësaj kontrate të dyshimtë.

    “I bëjmë thirrje personave përgjegjës të Komunës së Prishtinës të ftojnë organet kompetente, Krimet Ekonomike, për ta hetuar këtë kontratë të dyshimtë”, shtoi ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pak orë më vonë, për të njëjtën çështje ka reaguar edhe dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

    Sipas grupit të këshilltarëve komunal të LVV-së, kjo kontratë është e jashtëligjshme dhe njëkohësisht e dëmshme financiarisht.

    “Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, reagon ndaj një kontrate të dyshimtë që Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” e ka realizuar me një operator ekonomik. Bëhet fjalë për kontratën e titulluar “Shërbime për menaxhimin e parkingjeve”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Të njëjtit kanë ngritur dyshime edhe për aplikacionin pasi sipas tyre ka vlerë shumëfish më të vogël, sesa shuma e kontraktuar.

    Kjo kontratë po konsiderohet edhe si e panevojshme, pa ndonjë emergjencë që të bëhet pa negociuar dhe pa e publikuar kontratën.

    VV-ja, dega në Prishtinë e ka vlerësuar më të rëndësishëm miratimin e Rregullores së re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.

    “Më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullores se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje”, thuhet në reagim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ata kanë kërkuar hetim për keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike. Skandali tjetër, sipas grupit të VV-së është përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë.

    “Skandal tjetër është edhe përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë. Aty kemi të bëjmë me tendencë për të marrë kompetenca që janë ekskluzivitet i Policisë së Kosovës”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kush është Liridon Restelica, dhe cilat janë lidhjet e tij me PDK-në

    Liridon Restelica që tash është kryeshef i “Prishtina Prking”, ka qenë edhe asamblesit i Partisë Demokratike të Kosovës, në komunën e Prishtinës.

    Gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e këshilltarit komunal, përgjatë vitit 2013, ai ka qenë edhe zv.kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike Trainkos.

    Ai kishte deklaruar atë kohë në Agjencinë Kundër Korrupsionit se merr pagë vjetore prej 14 mijë e 400 euro nga Hekurudha, dhe 3 mijë euro nga punë e këshilltarit në kuvendin komunal të Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Për mbajtjen e dy pozitave njëkohësisht, Restecila ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

    Po ky institucion, më vonë e kishte dënuar Restelicën për mosdeklarim të pasurisë, kur e kishte marrë pozitën e këshilltar politik në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.

    Ai ishte dënuar më 200 euro gjobë, kur në vitin 2013 nuk e kishte kryer obligimin që ia cakton Ligji për Deklarimin e Pasurisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark