×
Analiza

ZKA evidenton disa shkelje në Zyrën e Kryeministrit

Insajderi
21 June 2023 - 15:46
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar disa shkelje në Zyrën e Kryeministrit, përgjatë vitit 2022.

Ky raport ka rezultuar me gjashtë rekomandime, prej tyre dy janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.

Shkeljet, kryesisht flasin për mos korrektësi, neglizhencë të treguar nga ana e zyrtarëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV). Gjetja e parë flet për “nënvlerësim i pasurive nën 1.000 euro në Pasqyra Financiare Vjetore”.

Vlera e pasurisë nën 1,000€ e prezantuar në PVF ishte nën vlerësuar për 137,468€, pasi që në AUV pasuritë nën 1,000€ të blera gjatë viteve 2020 -2022 nuk i kishte regjistruar në softuerin e-pasuria, për të njëjtat nuk kishte as regjistra të brendshme. Më tej, stoqet janë prezantuar në PVF bazuar në vlerësimin e komisionit për numërim të stoqeve në fund të vitit 2022, përderisa AUV nuk kishte evidenca sa i përket pranimit dhe shpërndarjes së stoqeve“, bën të ditur raporti.

Sipas ZKA-së, mos regjistrimi i pasurive dhe stoqeve, rritë rrezikun që ZKM-AUV mos të ketë nën kontroll, të gjitha asetet e saj dhe të ketë mangësi në raportim duke bërë nënvlerësimin e pasurive në PFV.

“Vlera e pasurisë nën 1,000€ e prezantuar në PVF ishte nën vlerësuar për 137,468€, pasi që në AUV pasuritë nën 1,000€ të blera gjatë viteve 2020 -2022 nuk i kishte regjistruar në softuerin e-pasuria, për të njëjtat nuk kishte as regjistra të brendshme“, thuhet më tej derisa bëhet me dije se “stoqet janë prezantuar në PVF bazuar në vlerësimin e komisionit për numërim të stoqeve në fund të vitit 2022, përderisa AUV nuk kishte evidenca sa i përket pranimit dhe shpërndarjes së stoqeve”, thuhet në raport.

Një tjetër gjetje e ZKA-së, flet se si për të paktën 10 pagesa, AUV nuk ka respektuar procedurat e blerjes së mallit.

“Gjatë testimeve kemi vërejtur që për 10 pagesa (4 raste në ZKM, 2 raste në ABGJ, 2 raste në IE dhe 2 raste në AUV) në vlerë prej 120,976€, urdhërblerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit/ faturës. Kjo ishte si pasojë e dështimit të kontrolleve nga zyra e prokurimit me rastin e procedimit të urdhërblerjes”.

ZKA ka kërkuar që respektohen procedurat, në mënyrë që të evitohen blerjet e pa kontrolluara.

“Vonesa në pagesën e obligimeve”, është pika tjetër ku zyra e auditimit ka gjetur parregullsi.

“Në 21 raste obligimet në vlerë prej 225,627€, nuk ishin paguar brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës, prej tyre 9 raste i takojnë AUV-së në vlerë 112,317€ dhe 12 raste ZKM-së në vlerë 113,310€. Vonesa kishte nga 3 ditë deri në 120 ditë”.

ZKA, nënvizon se mos pagesa e obligimeve brenda afatit ligjor, rritë mundësinë që furnitorët t’i drejtohen përmbaruesve dhe gjykatave, dhe ekzekutimi i detyrimeve përmes këtyre procedurave mund të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e ZKM-së.

Gjetja e radhës, sqaron se si ka pasur raste që ZKA ka hasur në “mangësi në vlerësim të ofertave” nga ana e AUV-it.

“Tek aktiviteti i prokurimit “Furnizim me vaksina dhe material shpenzues”, i ndarë në dy lote kemi vërejtur se në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit buxheti ishte planifikuar si tersi në vlerë 333,909 € për të dy lotet, pra buxheti nuk ishte planifikuar ndaras për secilin lot“.

Megjithatë, njëri nga Operatorët Ekonomik i cili kishte ofertuar në të dyja lotet, (oferta për lot 1 në vlerë 220,040€ dhe oferta për lot dy në vlerë 113,200€) ishte eliminuar nga oferta për lot 1, me arsyetimin se oferta kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar për këtë lot edhe pse buxheti ishte planifikuar si tërësi për këtë aktivitet të prokurimit“.

Më tej, AUV sipas ZKA-së, kishte rishpallur tender vetëm për lot 1 dhe me datë 16.02.2023 kishte lidhur kontratë në vlerë 239,280€.

Në pjesën e fundit të raportit sqarohet se si ka pasur “mos-harmonizim të raportit të Inventarizimit me regjistra të pasurisë“.

“Komisioni për inventarizim në AUV, kishte bërë inventarizimin e pasurive me kohë, mirëpo nuk ishte bërë harmonizimi në mes gjendjes së konstatuar nga inventarizimi me regjistrat përkatës të pasurive. Kjo kishte ndodhur për shkak të mos funksionimit të mirë të kontrolleve të brendshme në menaxhimin e pasurive“.

Mos harmonizimi i regjistrave të pasurisë ndikon që pasuria jo financiare t’i ekspozohet rrezikut për raportim të gabuar të vlerës së pasurisë.

Si rrjedhojë, Zyra e Auditimit të Kosovës ka rekomanduar sekretarin e përgjithshëm dhe kryeshefin AUV-it që të sigurohen se zyrtarët përkatës të kryejnë punën e tyre sipas dispozitave ligjore, në mënyrë që të mos ketë dëme financiare.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark