Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duket se ka gjetur një arsyetim tjetër përveç pagës pse mjekët kosovarë po ikin gjithnjë e më shumë nga vendi.
Ai gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Europiane, ka deklaruar se faji për këtë nuk është vetëm te rrogat, por se edhe mjekët po ikin nga Gjermania dhe se shtohet nevoja për mjek nga Kosova e vendet tjera, shkruan Insajderi.
Bislimi shtoi se mobiliteti është vlerë e Bashkimit Europian.
“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë, por a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani, jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, po se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Do të thotë edhe prej Gjermanisë ikin mjekët dhe shtrohet nevoja që me ardhë mjekë nga Ukrainës, Kosovës, Italisë. Mobiliteti është vlerë e BE-së. Politikat kryesore të OECD -së dhe Bashkimit Europian janë për të rritur moblitetin e fuqisë punëtore”.
“Projektligji i ri s’do ta bëjë pagën e mjekëve 6000 euro që me thënë tash se s’ke nevojë të shkosh”.
Në pyetjen e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, se a do t’u rritet paga mjekëve dhe t’u bëhet më “e dinjitetshme”, Bislimi u përgjigj, duke thënë se “nëse ideja e projektligjit është që të bëjmë paga të dinjitetshme, a po konkludojmë se ato janë të padinjitetshme?”.
Bislimi tha se nuk caktohet paga në bazë të dëshirës, por sipas mundësisë.