×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Zvarritja e rastit të Naser Kelmendit, shteti rrezikon të paguaj miliona euro dëmshpërblim për të

    Insajderi
    25 May 2023 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në gusht të këtij viti vjetërsohet komplet rasti i madh i gjykimit të Naser Kelmendit. Pas kësaj periudhe, praktikisht Naser Kelmendi do të jetë qytetarë i lirë i Kosovës, sikur të mos ishte akuzuar kurrë. Me këtë, i hapet dera që të kërkojë dëmshpërblim. “Do të jetë kërkesë milionësh”, tha avokati i tij. Insajderi sjell detaje për një gjykim që zgjati mbi një dekadë, për një krim që supozohej se ka ndodhur dy dekada më herët.

    Gazeta Insajderi

    “Policia e Kosovës ka arrestuar Naser Kelmendin i cili është në listën e zezë të SHBA-së si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës”, kështu i kishte nisur lajmet e 6 majit, 2013 Zëri i Amerikës.

    Arrestimi i tij kishte bërë bujë të madhe në media vendore e ndërkombëtare. Dyshimet që rëndonin mbi të nisnin nga dhëna e urdhrit për vrasje e te trafiku i drogës, dhe shumë më shumë. Edhe gjykimi i i tij në vazhdimësi mori vëmendje të publikut.

    Një dekadë më vonë, në vitin 2023, gjithë ajo zhurmë erdhi në një moment ku Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës arriti që të nxirrte një vendim që aspak nuk dukej më ai rasti i madh i fillimit: u dënua për hedhjen në treg të 25 kg të një substance e cila përbënte një narkotik-heroinë e bardhë. U dënua me më pak se 5 vite burg për 25 kilogramë heroinë.

    Por, ky vendim duket që shumë shpejt më nuk do të ketë më as efekt. Fillimisht për faktin që ai u dënua veç me aq kohë sa ka qëndruar në paraburgim, 4 vite e 8 muaj, por edhe se vetë rastit i ka ardhur koha e vjetërsimit.

    Në një hulumtim të Insajderit, mbi dokumentet publike të këtij rasti del që parashkrimi absolut i rastit të Naser Kelmendit, me çka duhet të hidhet poshtë krejt aktakuza, arrihet më 31 gusht 2023.

    Deri te kjo vije edhe si pasojë e zvarritjes së rastit nëpër gjykata, pasi që vetëm procesi i rigjykimi dhe atë vetëm për një të aktakuzës, atë për trafikim të substancave narkotike, Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka mbajtur në procedurë afro 5 vite.

    Dhe, dënimi ishte po aq sa ai qëndroi në burg.

    Avokati i tij, Besnik Berisha vetëm pak orë pas dënimit në një deklaratë publike tha që po të ishte e vërtetë që Kelmendi ka shpërndarë 20 vite më parë, në vitin 2003, 25 kilogramë heroinë, ai do të duhej të dënohej me 15 vite, por për çudi Gjykata e dënoi veç sa ka qëndruar në paraburgim. Ngriti dyshime se ishte balancim, dhe jo dënim.

    Milionat që Naser Kelmendi mund të ia marr shtetit, hesht Gjykata e Prokuroria

    “Do të ketë kërkesë për dëmshpërblim. Do të jetë kërkesë milionëshe”, tha Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit në TV Dukagjini.

    Sipas deklarimeve publike të mbrojtje së tij, në rast parashkrimi, hapet rruga për kërkim të kompensimit material për këtë periudhë, që mund të jenë kompensime milionëshe në rastin më të disfavorshëm për shtetin, dhe atë për shumë arsye.

    Siç merr vesh Insajderi, nëse deri më 31 gusht të këtij viti nuk përfundon krejt procesi me ankesa dhe vendime nga Gjykata e Apelit, dhe që gjasat janë që të mos përfundoi, mbrojtja planifikon që në kërkesën për kompensim të dëmit të përfshijë jo vetëm kohën e kaluar në paraburgim, diçka që veç ka praktika që është dëmshpërblyer, por edhe shumë më shumë.

    Mbrojtja planifikon që të kërkoi dëmshpërblim material edhe për dëmtim të imazhit, dëmet e shkaktuara në biznes-fitimi i humbur, dhe dëmet që pretendojnë që i akuzuari i ka pasur në shëndet, për sa qëndroi në paraburgim dhe një dekadë procesi gjyqësor.

    Gjykata themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për dënim të Naser Kelmendit në maj 2023. 10 vite pasi që ai ishte arrestuar, por vendimi i shkruar ende nuk është bërë.

    Pastaj duhet të kalojë një periudhë prej 30 ditësh për ankesa të Prokurorisë e mbrojtjes. Pastaj një kohë i duhet edhe Gjykatës së Apelit që të marrë vendim. Dhe, krejt këto faza duhet të kryhen brenda 90 ditësh, deri më 31 gusht, që të mos ndodhë parashkrimi absolut.

    Praktikisht, nëse këto nuk kryhen deri në atë periudhë, pas datës 31 gush 2023 aktakuza për Naser Kelmednin bie e plotë. Sikur ai të mos ishte akuzuar kurrë.

    Për krejt këtë situatë, Gazeta Insajderi për më shumë se një javë ka pritur përgjigje nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës që është organi i akuzës në këtë rast penal. Asnjëra nga këto dy institucione nuk ka pranuar që të komentoj. As nuk kanë treguar se pse vetëm për një pikë të aktakuzës shpenzuan afro 5 vite për rigjykim. As nëse ka qenë e qëllimshme kjo zvarritje që rasti i Naser Kelmendit të vjetërsohej e ti hapej rruga atij për të kërkuar dëmshpërblim financiar, që sipas avokati të tij do të jenë shuma milionëshe.

    Një dekadë gjykim për një krim që supozohet se ka ndodhur dy dekada më parë

    Naser Kelmendi u arrestua në fillim të majit të vitit 2013. Arrestimi erdhi 10 vite pasi që supozohej se ka ndodhur njëri nga krimet që ai kishte kryer, pra shpërndarja e 35 kilogramëve heroinë, që sipas Prokurorisë kishte ndodhur në vitin 2003.

    Por, në aktakuzën e parë rasti ishte shumë i madh.

    Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika.

    Organi i akuzës në këtë dokument që e deponoi në Gjyq thoshte se Kelmendi kishte kryer krim  të organizuar, vrasje të rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

    Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, kishte organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

    Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, kishte bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për  të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

    Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi ishte ofruar dhe kishte pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

    Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri në 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truproj, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

    Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe u shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

    Naser Kelmendi, akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko  Bozic, Hakija  Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatiten substance, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje.

    Krejt këto akuza kishin rënë që në vitin 2018, duke mbetur vetëm akuza që thoshte se Naser Kelmendi në vitin 2003 shpërndau një sasi heroine të bardhë prej 25 kilogramësh, e që nga Sarajeva shkoi në Vjenë.

    Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, iu desh periudhë më e gjatë e gjykimit vetëm të këtij rasti, se sa që i ishin dashur për 8 pika të tjera.

    Deri në botimin e këtij artikulli, Gjykata nuk ka pasur një përgjigje se pse ndodhi kjo. / Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark