Fran Garcia është larguar zyrtarisht nga Real Madridi për t’iu bashkuar rivalit të La Ligës, Real Betis, në një transferim të përhershëm.
Klubi nga Sevilla ka zyrtarizuar sot transferimin e mbrojtësit 26-vjeçar, duke bërë të ditur se ai ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2030.
Edhe Real Madridi e ka konfirmuar marrëveshjen përmes një komunikate zyrtare.
“Real Madrid CF dhe Real Betis Balompié kanë arritur një marrëveshje për transferimin e lojtarit tonë, Fran Garcia”, thuhej në njoftimin e klubit madrilen.
Real Betisi dhe Real Madridi kishin qenë prej kohësh në negociata për këtë transferim, por marrëveshja u finalizua shpejt gjatë ditës së sotme, pasi të dy klubet arritën dakordimin për kushtet e largimit.
Garcia kreu menjëherë testet mjekësore, nënshkroi kontratën dhe tashmë është zyrtarisht futbollist i Real Betisit.
Edhe pse nuk u përmend në komunikatën e Real Madridit, klubi madrilen pritet të përfitojë 4 milionë euro nga shitja e 50 për qind të të drejtave ekonomike të mbrojtësit të majtë.
Kjo marrëveshje konsiderohet e favorshme për “Los Blancos”, duke marrë parasysh se Garcia ndodhej në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin.
Pas transferimit të Marc Cucurellas nga Chelsea gjatë kësaj vere dhe vendimit për të mbajtur në skuadër edhe Alvaro Carreras, u bë e qartë se Garcia nuk ishte pjesë e planeve të trajnerit të ri, Jose Mourinho.
Mbrojtësi i majtë largohet nga klubi ku u formua, katër vite pasi ishte rikthyer nga Rayo Vallecano, skuadër ku kaloi tri sezone.
Gjatë dy periudhave të tij te Real Madridi, Fran Garcia zhvilloi 110 paraqitje me ekipin e parë, duke shënuar tre gola dhe duke dhuruar 13 asistime.
Gjatë kësaj kohe, ai fitoi pesë trofe me klubin madrilen: një Ligë të Kampionëve, një Kupë të Botës për Klube, një Superkupë të UEFA-s, një titull të La Ligës dhe një Superkupë të Spanjës.