×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Zyrtari i lartë amerikan pasnesër në Kosovë- Takon vetëm Osmanin, jo edhe Kurtin

    Insajderi
    18 March 2024 - 16:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në Departamentin amerikan të Shtetit, Todd D. Robinson, do të vizitojë Prishtinën nga e mërkura deri të premten.

    Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar njoftim zyrtar për vizitën e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë, ku takimin e vetëm zyrtar që do ta zhvillojë do të jetë më presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. Në njoftim s’përmendet kurrkund ndonjë takim me kryeministrin, Albin Kurtin, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e INL në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Aty bëhet e ditur se paraprakisht nga e hëna deri të mërkurën Robinson do të qëndrojë në Shqipëri, ku do të takohet me kryeministrin atje, Edi Ramën.

    “Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) Todd D. Robinson do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri, nga data 18-20 mars, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe partnerët e INL që po mbështesin punën e Shqipërisë për forcimin sundimi i ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndërtimin e institucioneve të forta”, vijon njoftimi.

    “Penalizimet” e kësaj natyre ndaj kryeministrit Kurti erdhën pas deklaratës së zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili tha se ekzistojnë probleme në komunikim me shefin e ekzekutivit kosovar.

    “Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaroi emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

    Në vizitën e tij të fundit në Kosovë, Escobar për nga radhitja e takimeve, Kurtin e la të fundit. Kryeministrin e takoi pasi që mbajti takime me presidenten Osmani dhe opozitën.

    Escobar e quajti Osmanen “garantuesen kryesore” të raporteve Kosovë-SHBA.

    “Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Escobar në një konferencë të përbashkët me Osmanin. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark