
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, ka bërë të ditur se pensionet tashmë do të paguhen në mes të muajve, në datat 15 dhe jo me 24 siç bëhej më herët.
Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se me vendim të përhershëm të ekzekutivit, nuk do të ketë pensione nën 100 euro.
“Ia vlen për t’u theksuar po ashtu edhe një fakt tjetër. Ne si Ministri e Financave, po ashtu edhe si Qeveri, çdoherë duke pasur parasysh nevojat e amvisërive dhe familjeve tona, do të synojmë që afatet kohore t’i zhvendosim”, tha Murati në konferencë.
“Synimi ynë është që realizimi i pensioneve të bëhet në mes të muajit më së largu më datën 17 që nga ky muaj, kurse pagat në fund. Kësisoj mundohemi që secila familje të kenë likuditet shtesë”, theksoi ministri.
Për këtë njoftoi edhe në Facebook.
“Po ashtu, nga ky muaj e tutje, data e pagesës së pensioneve do të zhvendoset në mes të muajit, ashtu që familjet që pranojnë pension, ta kenë më të lehtë menaxhimin e likuiditetit familjar”, shkroi Murati.