×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    ​Stoltenberg përshëndet konfirmimin me burg të përjetshëm për kriminelin serb Ratko Mlladiq

    Insajderi
    08 June 2021 - 22:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg ka mirëpritur vendimin për konfirmimin me burg të përjetshëm ndaj kasapit të Bosnjës Ratko Mlladiq.

    Ai në një postim në Twitter ka shkruar se është e drejtë që Mlladiq mbahet përgjegjës për krimet e tij të egra kundër civilëve, përfshirë vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenica në vitin 1995.

    “NATO ndihmoi për t’i dhënë fund dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990 dhe për të mbyllur një kapitull të errët dhe të turpshëm në historinë evropiane. Rajoni mbetet strategjikisht i rëndësishëm për Aleancën tonë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke promovuar paqen dhe pajtimin”, ka shkruar Stoltenberg.

    Ish-udhëheqësi i ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq, i njohur me nofkën “kasapi i Bosnjës”, do të vuajë dënimin e tij të përjetshëm pasi një apel ndaj dënimeve të tij për krime lufte u refuzua të martën.

    Mlladiq, 79, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 pasi u shpall fajtor për gjenocid për mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje nga 1992 deri më 1995.

    Vendimi i së martës përfundon gjyqin e fundit të madh për krimet e luftës në Ballkan përpara një gjykate të Kombeve të Bashkuara.

    Kasapi i Bosnjës u akuzua për dy akuza për gjenocid dhe nëntë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij në konfliktin në ish-Jugosllavi, ku 100.000 njerëz u vranë dhe 2.2 milionë të tjerë u zhvendosën. Ai u shpall i pafajshëm për një akuzë për gjenocid, por u shpall fajtor për secilën nga 10 pikat e tjera.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark