×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “𝐒𝐡𝐩ë𝐫𝐭𝐡𝐞𝐧” 𝐧𝐞𝐩𝐨𝐭𝐢𝐳𝐦𝐢 në Suharekë – punësohet arsimtar djali i ish-drejtorit të Kulturës të AAK-së, neglizhohet kandidati me 15 vjet eksperiencë

    Insajderi
    05 May 2023 - 17:20

    Jeton Zogajt nga Suhareka i ka humbur mundësia të jap mësim në shkollën fillore “7 Marsi” në Suharekë për shkak dyshimit për nepotizmi në komunën e udhëhequr nga Bali Muharremaj. Vendin i punës si arsimtar i Edukatës Fizike iu zu nga djali i ish-drejtorit të Kulturës, Beqir Berisha njëherit ish-kandidatit për asamble komunale nga radhët e AAK-së në zgjedhjet e vitit 2021. Berisha ishte arsimtar i kësaj lënde deri në prill të këtij viti, me të dalë në pension vendin e punës pretendohet se ia ka siguruar djalit të tij, Flakon Berishës përmes edhe ndikimit të një zyrtare komunale. Ndikim pra i dyfishtë drejt punësimit.

    Këto pretendime i kanë mohuar Drejtoria e Arsimit në këtë komunë por faktet thonë të kundërtën.

    Përmes disa kërkimeve në Facebook, shihet se Beqir Berisha ka qenë kandidat i AAK-së asamble komunale, që e ka mbajtur postin e drejtorit të Kulturës e edhe postin e arsimtarit të Edukatës Fizike deri në muajin prill të 2023-ës.

    Me pak kërkime kuptohet edhe lidhja familjare që zyrtarja komunale që punon në Drejtorinë e Arsimit, e e cila ka qenë anëtare e komisionit vlerësues ka me Flakon Berishën. Motra e këtij të fundit është e martuar për djalin e Kuqit.

    Sa i përket lidhjes familjare asnjë nga anëtarët e komisionit nuk janë deklaruar që kanë lidhje të ngushtë familjare me asnjërin nga kandidatët qe kanë aplikuar në këtë pozitë”, kanë thënë nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Suharekës për Insajderin.

    Parregullsitë pas konkursit

    Konkursi ishte hapur me 27 janar deri në datë 10 shkurt. Teksa dokumentacioni i nevojshëm që kërkohej ishte: Formulari i aplikimit, ekstrakti i lindjes, letërnjoftimi, dëshmia që nuk jeni nën hetime, diploma e shkallës së kualifikimeve, kandidatë të diplomuar jashtë Kosovës duhet të posedojnë diploma nga MASHT, përvoja e punës si dhe certifikata për trajnimet e kryera të akredituara në MASHT (nëse ka).

    Në listën e ngushtë ishte njoftuar se janë përzgjedhur 8 kandidatë, të cilët po kandidonin veç për një pozitë në shkollën fillore “7 Marsi” në Suharekë.

    Florentina Muqa, Ideal Kryeziu, Violeta Zeqirja, Alban Sopa, Flakon Berisha, Premton Bajraktari, Jeton Zogaj e Valon Hoxha.

    Tek njoftimi për rezultatin me shkrim Flakon Berisha ishte poentuar me 57 pikë ndërsa Jeton Zogaj me 55 pikë. Ndërsa në rezultatin përfundimtar Berisha mori 164.3 pikë e Jeton Zogaj 163.8, që i bie për 0.5 është përzgjedhur djali i ish-drejtorit të Kulturës nga radhët AAK-së.

    Zogaj është shprehur i bindur se Sahadete Kuqi në mënyrë direkte ka ndikuar në poentimin e Flakon Berishës andaj ai ka ushtruar të drejtën për ankesë në Komisionin Komunal për Shqyrtimin e ankesave.

    Ky komision rekomandoi anulim të vendimit që mbante datën 14.03.2023, si rrjedhojë kërkohej rishqyrtim dhe rivendosje.

    Bazuar në vendimin që e posedon Gazeta Insajderi thuhet se; DKA obligohet të formojë komisioni të ri përzgjedhës.

    Ankesa e të lartpërmendurit (Jeton Zogaj) është e bazuar dhe lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje në DKA, e cila obligohet të formojë një komision të ri, i cili gjatë zhvillimit të procedurave të ketë parasysh vlerësimin me pikë të njëjta për kualifikimin e njëjtë universitar për të gjithë kandidatët. Komisioni të evitoj parregullsi si p.sh testit me shkrim, vlerësim të certifikimit dhe përvoja e punës”, thuhet në vendimin që ka nënshkrimin e Kryesuesit të Komisionit Shkëlqim Salihu.  

    “Eksperienca e punës nuk është kriter me peshë” – 15 vs 3?

    Bazuar edhe në vendimin më lartë të nxjerrur nga Komisioni Komunal për Ankesa mes tjerash komisionit të i ri i rekomandohet që të ketë parasysh edhe përvojën e punës.

    Jeton Zogaj ka ofruar dëshmi se ka mbi 15 vjet përvojë pune, ka qenë trajner futbolli për 17 vite, po ashtu kryetar i shoqatës së pedagogëve të kulturës fizike e ka mbi 15 trajnime  të përfunduara që janë akredituar nga Ministria e Arsimit.

    Krejt kjo eksperiencë ai thotë se nuk iu morë parasysh nga komisioni pjesë të cilit ishte edhe Sahadete Kuqi.

    Përkundër Zogajt djali i ish-drejtorit të Kulturës në Suharekë, ka vetëm 3 vjet përvojë pune. Kështu të paktën ka konfirmuar drejtori i Arsimit, Remzi Bajselmani.

    Flakoni ka tri vjet përvojë pune“, tha Bajselmeni duke shtuar kriteri për përvoje pune nuk është “kriter me peshë”.

    Si për të arsyetuar atë që ka ndodhë, drejtori ka shtuar se “Jetoni është i punësuar dhe është duke punuar me normë të plotë (20 orë) në shkollën Shfmu “Sadri Duhla”, 10 minuta larg qytetit të Suharekës”.

    Ndërkohë, Jeton Zogaj ka konfirmuar për Insajderi që qysh prej vitit 2016 ka bërë kërkesë zyrtare për transferim.

    Në momentin e parë që e pashë konkursin, vendosa aplikova – kjo nuk besoj që lidhet me sa larg ose afër e kam unë shkollën, thjeshtë e ushtrova të drejtën tim meqë kërkesa ime ka vite që nuk po merr përgjigje pozitive“, tha ai.

    Për këto padrejtësi që Zogaj po pretendon se i janë bërë ai më 2 maj ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, ndaj kryesuesit të komisionit Agim Rraçi, Sylejman Shalës e Sahadete Kuqit.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2023 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark