Fushatën zgjedhore kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, e ka përmbyllur me vizitën te familja e heroit Ali Ajeti.
Hyseni tha se kjo familje ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
“Kemi ardhur te simboli i rezistencës i cili na ka motivuar të gjithëve edhe një luftë që është zhvilluar dje, rrënjët i ka pasur aty. Psikologjia e dëshmorit është se i bënë ato punë për të mirën e përgjithshme vetëm për shkak se e do popullin e vet dhe pikërisht këtë ne duhet t’u japim gjeneratave të ardhshme. Ky motiv uroj të rritet dhe sot nuk ka nevojë më për luftë, po ka nevojë për punë për të kthyer këtë motiv, i cili do t’i shërbejë edhe popullit dhe kombit shqiptar. Këtë nderë dhe krenari që ne e gëzojmë, e kemi prej kësaj shtëpie e cila do ta lartësojë edhe më tepër dhe gjithë pasardhësve tanë do t’iu tregojmë edhe përmes historisë dhe shembujve si duhet ta duam vendin”, tha Hyseni.
Kandidati për të parin e Podujevës gjatë ditës ka zhvilluar një takim me të rinjtë e kësaj komune, si dhe ka vizituar shoqatën Handikos dhe organizatën e veteranëve të UÇK-së.