Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili është zotuar se do të rregullojë një sërë çështjes në lagjen Kodra e Trimave.
Ai premtoi formalizimin e pronave dhe zhbllokimin e kapitalit të qytetarëve, ndërtimin e dy çerdheve, krijimin e korsisë së veçantë për autobus dhe krijimin e parqeve të reja.
Në një konferencë për medie në këtë lagje, Ismaili tha se bastionet partiake dhe fanatizmi i verbër për flamuj partiak i takon së kaluarës.
Ismaili: Do ta rregullojmë së bashku Kodrën e Trimave
“Këto zotime do të mbesin dëshmi e zotimeve të mia dhe nuk do të harrohen. Ju do ta mbani fjalën dhe ta dini çfarë do të rregullohet në këtë lagje. Zotohem se deri në dhjetor 2024 do të ndreqim formalizimin e pronave dhe zhbllokimin e kapitalit të qytetarëve, ndërtimin e dy çerdheve për fëmijë, shiriti i posaçëm për autobus përgjatë rrugës kryesore M25, krijimi i linjës së posaçme të shiritit për autobus, ndërtimi i shiritave për çiklistë, krijimi i parqeve të reja dhe renovimi i shkollave dhe çerdheve”, tha ai.
Pretendenti për kryetar të kryeqytetit kritikoi edhe qeverisjet e kaluara për lënien pas dore të Kodrës së Trimave.
“Fatkeqësisht, Kodra e Trimave është lënë pas dore me investime, partitë politike kanë dashur në këtë lagje. Me flamujt dhe logon partiake është kërkuar vota, nuk duhet të lejojmë që lagjet tona të shndërrohet në bastione partiake. Fal bujtjeve dhe takimeve me qytetarë kam kuptuar se fanatizmi i verbër për partitë i takon së kaluarës”, tha ai.
Në këtë konferencë për medie u prezantuan edhe kandidatët për asamblenë komunale të PDK-së nga kjo lagje.