×
  • Lajme
  • Insajderi

    ​Isufi: AAK do të jetë pjesë e qeverisë me president Ramush Haradinajn

    Insajderi
    19 January 2021 - 10:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi shprehet i bindur se do t’i fitojnë rreth njëzet deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Derisa e sheh partinë që përfaqëson në qeverinë e ardhshme, Isufi thotë se nuk do të kenë vija të kuqe me asnjë subjekt politik, por do të insistojnë në fund që posti i presidentit t’i takojë liderit partiak, Ramush Haradinaj.

    Isufi në një intervistë për KosovaPress thotë se AAK-ja është e mobilizuar më mirë se partitë tjera dhe për këtë presin ngritje të votave në zgjedhjet e parakohshme. Ndërkohë, ai thekson se do t’i demantojnë gjitha sondazhet që po e rendisin me numra të ulët partinë e Ramush Haradinajt në zgjedhje.

    “Jemi të mobilizuar si AAK më mirë se partitë tjera dhe presim një ngritje të votës e cila do të jetë solide për AAK-në… në sondazhet gjitha rastet i kemi demantuar sepse kemi pas më shumë se sa sondazhet na kanë qitë. Prandaj edhe kësaj here ne planifikojmë të jetë një ngritje e deputetëve me numër shumë më të madh se sa ka qenë në të kaluarën për arsye se jemi më praktik, më dinamikë dhe ofrojmë më shumë për qytetarët e Kosovës… sigurisht që do të kemi rreth 20 deputetë sepse dinamika e punës sonë ka ndryshuar terrenin”, deklaron Isufi për KosovaPress.

    Krahas kësaj, nënkryetari i AAK-së thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike dhe pas zgjedhjeve do t’i shohin të gjitha mundësitë për bashkëpunim.

    “Aleanca ka treguar qysh në fillim se nuk ka vija të kuqe me partitë tjera sepse i kemi parë se i kanë zbehur kur ka interesa. Prandaj AAK-ja është shumë më pozitive në këtë drejtim. Ne do të bëjmë koalicion me një parti e cila garanton qeverisje të mirë, garanton qasje ndaj qytetarëve të Kosovës në përmirësimin e jetës së tyre, e po ashtu ne jemi partia që nuk kemi armiq, por partnerë në qeverisje… absolutisht ne partitë politike i shohim si partner të mundshëm në qeverisje, i shohim si të angazhuar në interesat e qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

    Isufi deklaron se AAK-ja nuk ka vota për askënd tjetër për president, përveç Ramush Haradinajt.

    “Ne e kemi përcaktuar kandidatin tonë për president dhe nuk luajmë me opinionin. Prandaj e kemi thënë se do të jemi pjesë e qeverisjes, njëkohësisht do të kërkojmë që president i Republikës së Kosovës të jetë zotëri Haradinaj për shkak se paraqet një opinion unifikues më shumë. Pavarësisht pozitë, opozitë gjithmonë ka mbajtur një qëndrim dhe ka qenë komunikues më shumë se të tjerët. Prandaj i takon pozita e presidentin dhe ne besojmë se do të arrijmë”, tha ai.

    Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e qeverisë Hoti, zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen më 14 shkurt. 

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark