×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    ​Tregtia me produkte të naftës dhe karburanteve të rregullohet me ligj

    Insajderi
    21 September 2021 - 13:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Humbja, pastrimi i rezervuarve dhe kontrolli i cilësisë ishin çështjet kryesore që u ngritën gjatë shqyrtimit të Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme në Komisionin për Ekonomi, industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

    Përfaqësues të odave ekonomike, naftëtarëve dhe biznese kërkuan që t’u njihet humbja, pastrimi i rezervarëve të bëhet çdo 10 vite dhe për kontrollin e cilësisë të mos ngarkohet subjekti në rastet kur ky i fundit del komfor.

    Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi tha se është më se e rëndësishme që kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë të përcaktohen me ligj.

    Ai propozoi që pastrimi i rezervuarve të naftës të bëhet çdo 10 vite, dhe jo çdo 6 vite sa parashihet me ligj. Teksa shtoi se shumë esenciale për bizneset e sektorit të naftës është që me ligj të njihen dhe pranohen humbjet të cilat shkaktohen.

    “Konsiderojmë që është më se e rëndësishme që kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë të përcaktohen me ligj, e të mos lihen në dorën e një udhëzimi administrative apo akteve të tjera nënligjore, të cilat mund të ndërrohen varësisht nga ministri dhe vullneti i tij. Për më tepër, teksa me ligj, përkatësisht referuar Nenit 18, që ka të rregulluar ndëshkimet, në 5 faqe janë specifikuar ndëshkimet me të cilat përballet një biznes në rast të shkeljeve eventuale, atëherë do të duhej që të specifikohen edhe kushtet dhe kriteret për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Pra kriteret teknike-teknologjike, kushtet, e procedurat të përcaktohen me këtë draft ligj dhe jo të lihet hapësirë që me akte nënligjore të ndryshohen çdo vit nga Ministri respektiv në të ardhmen”, tha ai.

    Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani tha se si shoqatë kanë tri kërkesa kryesore.

    Ai tha se më tash nuk ka pasur kritere, teksa kërkoi që këto të fundit të përcaktohen përfundimisht me ligj.

    “Ankesa e parë është pastrimi i rezervarëve, ankesa e dytë është kontrolli i cilësisë, kërkesa e tretë është pranimi i humbjeve”, tha ai.

    Ndërsa kryetari i komisionit, Ferat Shala tha se cilësia duhet të jetë prej standardeve bazë të ligjit.

    “Ne e kemi parë që nëse e lëmë në akte nënligjore në çfarë situate na sollën, krejt çka dua të them është që cilësia duhet të jetë prej standardeve bazë të ligjit”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark