×
Analiza

“𝐁𝐄 𝐬𝐢 𝐭𝐢𝐠ë𝐫 𝐩𝐫𝐞𝐣 𝐥𝐞𝐭𝐫𝐞”, deklarata skandaloze e ministres Gërvalla deklarohen nga BE për Insajderin

Insajderi
11 July 2023 - 11:39
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Deklarata e zëvendëskryeministres njëherit ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz se “BE është si tigër prej letre”, në termat e sigurisë, ka ngjallur reagime të shumta. Ndaj fjalimit të saj, përveç oponentëve politikë, gazetarëve, analistëve kanë reaguar edhe përfaqësues të SHBA-së e BE-së.

Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut tha se Bashkimi Evropian pa Amerikën dhe NATO-n është si një “tigër prej letre”.

“Arsyet janë të dukshme. Sepse nuk ka vullnet politik. Ka shumë përqarje në këtë bashkësi dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe të NATO-n, Bashkimi Evropian është një tigër prej letre në termat e sigurisë”,  tha Gërvalla.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian kanë thënë se nuk bëjnë komente mbi komente.

“Shumë faleminderit për pyetjet tuaja, por ne nuk i komentojmë komentet”, ka thënë shkurt zëdhënësja e BE-së Zoi Muletier.

Kjo deklaratë dhe të tjera gjatë takimit në Forumin e Dubrovniku i mbajtur të shtunën, nxitën reagimin e emisarit, Miroslav Lajçak si dhe të dërguarit Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak u shpreh se nuk ka një bashkësi në botë, që ka siguruar më shumë stabilitet politik, zhvillim ekonomik e kohezion social.

“Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së”, tha ai.

Në anën tjetër, i dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se politika e SHBA-ve në Ballkan ka qenë në mënyrë konsistente që nga vitet e ’90-ta.

Ai tha se politika e tyre mbështetet në disa shtylla dhe një ndër to është integrimi evropian. Dhe këtu, tha Escobar, ka disa dallime me palën kosovare.

“Më vjen keq që dallojë këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratat e fundit, ka qenë kombinim i BE-së dhe SHBA-së. Integrimi është aspirata më e lartë për rajonin, ata janë evropianë, historikisht, financiarisht, kulturalisht ata duhet të jenë pjesë e ‘klubit’. Çdo shtet që i bashkohet BE-së do të jetë më demokratik, më stabil dhe më i suksesshëm”, tha Escobar në këtë Forum.

Sipas tij, edhe pse disa argumentojnë se Bashkimi Evropian ka dështuar,  zgjerimi ka qenë një nga zhvillimet më pozitive të kësaj gjenerate.

Tutje, Escobar pati kritika edhe për lidershipin e disa shteteve të Ballkanit, por që nuk përmendi me emra.

Ai tha se disa vende vazhdojnë të kenë lidership që besojnë se populizmi, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga përpara.

Duket se rajoni është ‘i ndarë’ në dy pista. Njëra pistë është për ata që janë në NATO dhe janë më stabil dhe sigurisht në rrugën e integrimit evropian. Dhe pista tjetër është për ata që janë duke konsumuar vëmendjen dhe burimet e pjesës tjetër të rajonit, që janë në vështirësi nga sfidat e veta. Diferenca është se shtetet që janë në NATO kanë bërë progres të madh, që kanë tejkaluar sfidat etnike. Dhe të tjerët që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi dhe nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga përpara, janë ata që kanë më shumë sfida”, tha në fund Escobar.

Ndërkohë, në Kosovë opozita ka kërkuar shkarkimin e Gërvallës.

Ndaj deklaratës së ministres, ka reaguar edhe deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj, ai ka thënë se ishte e paimagjinueshme që Kosova të shfaqet në konferenca ndërkombëtare si kundërshtare e Perëndimit, siç u shpreh ai, duke e zëvendësuar Serbinë dhe autokracitë e Evropës Lindore në këtë rol.

Tutje, Hoxhaj është shprehur se logjika e diplomacisë, siç tha ai, së çajtoreve e sheh Sekretarin Blinken si naiv dhe BE-në si “tigër prej letre”.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Lushaku-Sadriu, në një reagim publik të hënën, ka thënë se veprimet e Gërvalles janë duke i shkaktuar “dëme të pariparueshme Kosovës”. Ajo e ka cilësuar skandaloze deklaratën e saj.

Kujtojmë se kjo deklaratë e Gërvallës po vije në një kohë acarimesh të raporteve të Kosovës me BE-në, për shkak situatës së krijuar në Veri të vendit, pas zgjedhjes së katër kryetarëve të rinj, zgjedhja e të cilëve po kundërshtohet ashpër nga Serbia.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark