×
Show

10 shenja që tregojnë se ndoshta lidhjes suaj po i vjen fundi

Insajderi
28 April 2016 - 12:08
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Dashuria mes dy njerëzve mund të lindë shumë papritur, por ndarjet nuk janë edhe aq të paparalajmëruara. Disa shenja të caktuara tregojnë se lidhja po shkon drejt fundit dhe se ndarja është e afërt

Fundi i një lidhjeje dashurie nuk është gjithnjë i papritur, por në shumë raste ai paralajmërohet nga shenja të caktuara, të cilat nëse kapen në kohë mund t’jua shpëtojnë lidhjen.

Ja se cilat janë paralajmërimet se lidhja juaj po merr rrugën e ndarjes dhe se duhet të veproni ose të pranoni ndarjen.

Komunikimi është rralluar

Komunikimi është baza e çdo marrëdhënieje njerëzore. Nëse vini re se në lidhjen tuaj në çift gjërat po shkojnë drejt zbehjes dhe se nuk e pyesni më njëri-tjetrin se si e kaluat ditën, atëherë e ardhmja nuk do të jetë e mirë për lidhjen.

Mungesa e komunikimit mund të vijë, sepse nuk ju intereson të dini më gjërat e personit tjetër ose ngaqë nuk keni më se çfarë të diskutoni. Në të dyja rastet, përfundimi do të jetë një ndarje e hidhur. Megjithatë mos u trishtoni, jeta ka plot surpriza të tjera.

Acaroheni me njëri-tjetrin

Nuk ka problem se për çfarë arsyeje ju acaroheni gjithnjë nga personi tjetër, ajo që fshihet pas kësaj është fakti se lidhja juaj nuk përmban më dashurinë e dëshiruar.

Acarimi mund të shkaktohet nga mënyra se si gjërat po shkojnë mes jush dhe pikërisht ky padurim ndaj njëri-tjetrit tregon se truri juaj nuk po prodhon më substancën “magjike” të dashurisë që ju verbon ndaj gabimeve të tjetrit. Është çasti të ndalni marrëdhënien dhe të mendoni për një ndarje paqësore.

Nuk keni më kohë për njëri-tjetrin

Sado të zënë që të jeni përgjatë ditës, nëse ekziston dëshira mund të gjeni kohë për njëri-tjetrin. Nëse papritur nuk përpiqeni të krijoni hapësira për t’u takuar, për të ndenjur bashkë apo për aventura në çift, kjo është një shenjë se gjërat nuk janë si më parë.

Duke mos krijuar kohë, ju tregoni se nuk dëshironi të vazhdoni të jeni nën praninë e njëri-tjetrit. Në disa raste ju mund të jeni të vetëdijshëm për atë që duhet bërë, por e gjeni veten pa energji. Ky është sinjali se entuziazmi ka vdekur dhe se nuk doni të bëni më sakrifica për dashurinë tuaj.

Distanca hyn mes jush

Ndieni se lidhja juaj po mbushet me një distancë, por nuk doni të bëni asgjë për ta rregulluar këtë problem? Atëherë edhe shumë pak kohë ju ka ngelur të jeni pjesë e çiftit aktual. Nëse ju mungon dëshira për të qëndruar me njëri-tjetrin apo nëse personi juaj i zemrës ka këtë ndjesi, mos e mundoni veten më gjatë, por kërkoni ndarjen.

Zemëroheni për gjërat më të vogla

Në rast se jeni vazhdimisht në tension dhe zemëroheni edhe për gjërat më të parëndësishme që bëni ndaj njëri-tjetrit, mos e fajësoni më kot veten. Lidhja juaj është futur në fazën e errët kur janë shkaqet më madhore ato që ju nxisin zemërimin. Në këtë pikë, të dy ju e dini se marrëdhënies suaj po i vjen fundi dhe këto të meta janë zmadhuar në sytë tuaj.

Intimiteti po vdes

Përveç faktit që nuk diskutoni më haptazi me njëri-tjetrin ju nuk kapeni më prej dore dhe nuk shprehni dashurinë në publik si dikur. Shuarja e intimitetit është një nga sinjalet më kryesore dhe njëkohësisht më vrastare të lidhjeve që po shkojnë drejt fundit. Merrni në dorë frenat e lidhjes suaj dhe diskutoni për një të mirë të përbashkët, shkruan Gazeta Shqip.

Marrëdhënia ju lodh

Nëse ndiheni të lodhur nga të qenët në një marrëdhënie, kjo nuk ka lidhje me dëshirën tuaj për të qenë beqarë, por është diçka që nuk shkon në marrëdhënien e krijuar në çift. Mund të mos e kishit menduar kurrë që do të vinte kjo ditë, por e vërteta është se çasti ka mbërritur dhe duhet të ‘burrëroheni’ për të diskutuar haptazi për atë që dëshironi të bëni më tej.

Grindeni më shpesh

Grindjet në çift janë shenjë e mospërputhjes së mendimeve. Kjo mospërputhje vjen kryesisht nga mungesa e dëshirës për të bërë kompromis dhe duke qenë se kompromisin e bëjnë vetëm të dashuruarit, juve po dilni ngadalë nga zona e dashurisë. Edhe pse ju duket se nuk po kërkoni të grindeni, është e pashmangshme të shprehni më shpejt irritimin kur dashuria nuk është më aty.

Nuk thoni më “të dua”

Kjo nuk do të thotë se dashuria është zhdukur nga lidhja juaj, por me siguri që nuk arrini ta ndieni më aq fuqishëm. Mund të jeni duke pritur që ta thotë i pari personi tjetër fjalën “të dua”, por edhe ai mund të jetë duke pritur për ju. Kjo lojë pritjeje nuk ju shërben aspak dhe në disa raste mund t’ju çojë drejt ndarjes.

Filloni ta mendoni jetën pa njëri-tjetrin

Një nga tiparet e njerëzve të dashuruar është se ata bëjnë plane për të qenë përgjithmonë me njëri-tjetrin. Në rast se ju keni filluar të bëni planet e së ardhmes vetëm, ky është një sinjal se ndiheni më rehat pa njeriun që keni në krah. Mos e mendoni më gjatë, por jepini fund lidhjes suaj dhe kërkoni më të mirën për veten.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark