Robert Lewandowski tashmë është një sulmues i ri i Barcelonës.
Transferimi, i përfolur prej disa kohësh, është zyrtarizuar – sulmuesi polak do të transferohet te klubi katalan, i cili ka paguar shifra të rëndësishme për një shoqëri në një situatë ekonomike-financiare të ndërlikuar.
Sipas asaj që shkruan shtypi sportiv ndërkombëtar, Barça do të derdhë 45 milionë euro në arkat e Bayern Munich për Lewandowski, të cilave mund t’u shtohen edhe 5 milionë euro të tjera bonus, në rast të shfaqjes së kushteve të caktuara, për një total prej 50 milionë eurosh.
Kjo shifër e bën 33-vjeçarin polak shitjen më të rëndësishme ekonomike në historinë e Bayern Munich.
Lewandowski i zë vendin Douglas Costa, i cili në vitin 2018 u ble nga Juventus për 40 milionë euro. Podiumi i transferimeve mbyllet me Mats Hummels (30,5 milionë euro), i cili u rikthye te Borussia Dortmund në merkaton e verës së vitit 2020, pasi klubi bavarez e kish blerë nga verdhezinjtë në verën e 2016-s.
Jashtë podiumit, Toni Kroos te Real Madrid dhe Owen Hargreaves te Manchester United, të dy për 25 milionë euro.
Pas dy mesfushorëve gjejmë tre transferime për 22 milionë euro secili.
Në vitin 2015, Mario Mandzukic, u transferua nga Mynihu te Atletico Madrid; dy vite më vonë Mario Gotze bëri të njëjtin rrugëtim të Hummels, duke u rikthyer te Borussia Dortmund, nga ku e kish blerë Bayern; një vit më parë, Thiago Alcantara u ble nga Liverpool i Jurgen Klopp.
10 shitjet më të kushtueshme në historinë e Bayern Munich mbyllen me dy mesfushorë të tjerë.
Në vendin e nëntë është lojtari portugez Renato Sanches, transferimi i të cilit te Lille solli tek arkat e bavarezëve 20 milionë euro.
Ndërsa Arturo Vidal u transferua nga Bayern Munich tek Barcelona në vitin 2019, për 18 milionë euro.