Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke lënë në fuqi gjobën prej 5.100 eurosh të shqiptuar për përfshirjen e një fëmije në një aktivitet të fushatës zgjedhore.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi, duke konstatuar se gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar nga LVV më 31 maj 2026 në Vushtrri, një vajzë 10-vjeçare kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitet.
Nga provat e administruara rezulton se e mitura kishte dalë në skenë para pjesëmarrësve të tubimit dhe kishte recituar, ndërsa ishte e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik.
LVV kishte kundërshtuar vendimin e PZAP-së, duke argumentuar se vajza nuk kishte qenë pjesë e programit zyrtar të organizuar nga partia dhe se paraqitja e saj kishte ndodhur me iniciativën e vetë të miturës, në prani të prindit të saj.
Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk e ndryshojnë përgjegjësinë e organizatorit të aktivitetit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se neni 5, paragrafi 3 i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 përcakton qartë se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore.”
Sipas vendimit, për të konstatuar shkeljen nuk është vendimtare se kush e ka marrë iniciativën për pjesëmarrjen e fëmijës.
“Për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse iniciativa për pjesëmarrjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, si dhe nuk ka rëndësi nëse ka pasur koordinim apo planifikim paraprak”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.
Kolegji vlerësoi se elementi përcaktues është fakti që organizatori i aktivitetit ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një fëmije në një aktivitet zgjedhor, pavarësisht mënyrës se si ka ardhur deri te ajo paraqitje.
Gjykata po ashtu nënvizoi përgjegjësinë e organizatorëve për menaxhimin e aktiviteteve zgjedhore dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve.
“Organizatori i tubimit ka përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve. Në rrethanat e rastit konkret, e mitura kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetin zgjedhor”, theksohet në vendim.
Duke iu referuar qëllimit të dispozitave ligjore që synojnë mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Për rrjedhojë, ankesa e LVV-së u refuzua si e pathemeltë, ndërsa në fuqi mbeti vendimi i PZAP-së për shqiptimin e gjobës prej 5.100 eurosh ndaj subjektit politik.