Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Sopaj, ka bërë të ditur arsyet që e kanë shtyrë të hyjë në garën politike, duke theksuar se përvoja e tij shumëvjeçare si afarist ka qenë vendimtare për këtë hap.
Sopaj ka deklaruar se përballja e përditshme me sfidat reale të qytetarëve dhe bizneseve e ka bindur se ndryshimet e mëdha mund të ndodhin vetëm atëherë kur njerëzit e punës marrin përgjegjësi edhe në proceset vendimmarrëse.
“Si afarist, duke i parë nga afër sfidat e përditshme dhe kërkesat reale të qytetarëve dhe bizneseve, kam vendosur t’i hyj kësaj gare. Përvoja ime shumëvjeçare më ka bindur se ndryshimet e mëdha ndodhin vetëm atëherë kur njerëzit e punës marrin përgjegjësi edhe në proceset vendimmarrëse”, ka thënë Sopaj.
Duke folur për prioritetet që synon t’i shtyjë përpara në Kuvendin e Kosovës, Sopaj ka veçuar tri fusha kryesore.
“Tre prioritetet e mia kryesore janë përmirësimi i klimës së të bërit biznes në Kosovë, sjellja e investitorëve të huaj dhe krijimi i kushteve të favorshme për investime, si dhe punësimi i të rinjve dhe ndërtimi i perspektivës së tyre në vend”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës janë çelësi për mbajtjen e të rinjve në Kosovë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për vendin.