Insajderi
Lajme

136 punëtorë u deklaruan, 148 u angazhuan – shkelja që u evidentua nga auditori në Fushë Kosovë

Insajderi
26 June 2026 - 15:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
136 punëtorë u deklaruan, 148 u angazhuan –  shkelja që u evidentua nga auditori në Fushë Kosovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar mospërputhje në zbatimin e kontratës për “Ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sociale, arsimore, ambientale dhe administratë të përgjithshme” në Komunën e Fushë Kosovës, kontratë e lidhur me organizatën Caritas Kosova.

Sipas Dosjes së Tenderit, operatori ekonomik ishte i obliguar të angazhonte një listë zyrtare prej 136 punëtorësh. Megjithatë, auditimi ka konstatuar se menaxheri i kontratës ka përdorur një listë tjetër operative prej 148 punëtorësh, e cila ishte hartuar dhe ndryshuar gjatë zbatimit të kontratës pa verifikimet e duhura nëse stafi përputhej me ofertën fillestare.

Auditori ka tërhequr vërejtjen se mungesa e kontrolleve ka dobësuar mbikëqyrjen dhe rrit rrezikun që kontrata të mos zbatohet sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara.

Kryetarit të Komunës i kërkohet të sigurojë që menaxheri i kontratës të kryejë verifikime të rregullta dhe të dokumentuara të stafit. Menaxhmenti i komunës është pajtuar me këtë gjetje.

Kjo gjetje është pjesë e Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Fushë Kosovës për vitin 2025. Ky raport ka rezultuar me gjithsej 13 rekomandime të zyrës së auditimit, prej të cilave shtatë janë rekomandime të reja, pesë janë të përsëritura nga vitet e kaluara dhe një është pjesërisht i përsëritur.

Theksojmë se deri në tetor të 2025-ës, Komuna e Fushë Kosovës është udhëhequr nga Burim Berisha i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark