×
  • Lajme
  • Lajme

    14 maj – Prishtina kundër demarkacionit, Tirana kundër homofobisë

    Insajderi
    11 May 2016 - 18:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy kryeqytetet, ai i Kosovës dhe ai Shqipërisë, me 14 maj do të jenë vendet ku do të protestohet apo manifestohet por arsyet janë komplet të ndryshme.

    Tirana do të manifestojë kundër homofobisë ndërsa Prishtina kundër Qeverisë, apo siç ka thënë lideri i AAK-së kundër Demarkacionit me Malin e Zi.

    Me 14 maj, në Tiranë në orën 11 është paralajmëruar mbajtja e aktiviteti “Tirana Gay (P) Ride” që organizohet për të pestën herë në kryeqytetin shqiptar.

    “Këtë vit ju ftojmë të pedalojme për të kërkuar të drejta të barabarta, të drejtën për njohjen e familjeve LGBTI, të drejtën e komunitetit transgjinor për njohjen gjinore, të drejtën për të patur akses të barabartë dhe trajtim dinjitoz në shëndetësi, arsim dhe në çdo fushë të jetës”, thuhet në përshkrimin e thirrjes së Aleancë LGBT në Tiranë.

    Në këtë ngjarje të krijuar në Facebook,  deri më tani mbi 200 persona kanë konfirmuar pjesëmarrjen teksa afro 300 të tjerë kanë shprehur interesim nga 1 mijë e 200 të ftuar.

    Pak më mirë në Facebook, sa i përket përkrahjes është edhe ngjarja e krijuar në Facebook për protestën e 14 majit në Prishtinë.

    E krijuar nga AAK dhe NISMA ngjarja “Protestë gjithëpopullore” nuk ka marrë edhe aq shumë mbështetje. Afro 800 persona kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbi 400 të tjerë kanë shprehur interes nga 16 mijë në total sa janë ftuar në këtë protestë.

    “Ftojmë të gjithë qytetarët që janë të pakënaqur me gjendjen e sotme në Kosovë, që me datën 14 Maj në orën 14, të protestojmë në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ta ngrisim Zërin kundër Qeverisë antikushtetuese”, thuhet në thirrjen e AAK-së dhe NISMA-s për protestë.

    Por lidhja mes këtyre dy ngjarjeve megjithatë ekziston. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte përfshirë edhe në debatin për LGBT, pasi në shator të vitit 2015, kur gjatë një mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend, Haradinaj kishte përdorur fjalën “peder” një nga fjalët fyese për komunitetin LGBT, teksa i ishte drejtuar me nervozë Murat Mehës, kryetari i Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.

    Më vonë Haradinaj kishte kërkuar falje duke thënë se cilësimet e tilla “s’kanë të bëjnë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT”. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark