Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka gjobitur kompaninë për shitjen e derivateve “Italian Petrol” (IP) për shkak se kjo e fundit dyshohet të ketë mashtruar së paku një konsumator, i cili edhe ka bërë ankesë zyrtare pranë kësaj Ministrie, raporton Gazeta Zëri.
Në bazë të dëshmive që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se kompania në fjalë nëpër pikat e saj të shitjes me pakicë nëpër gjithë territorin e Kosovës ka shitur dy lloje të derivateve të naftës “Euro Disel” dhe “Disel Plus”.
Ndërkaq, bazuar në të dhënat zyrtare, shihet se ajo e ka importuar vetëm një lloj të derivatit të naftës.
“Një konsumator për këtë çështje ka bërë ankesë në MTI. Pasi është bërë ankesa inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar parregullsi”, bëjnë të ditur burime të besueshme të gazetës brenda Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Për këtë çështje gazeta ka kontaktuar direkt me ministren e Tregtisë, Hykmete Bajrami, por kjo ka sugjeruar që për çështjen në fjalë të kontaktohet zyra e mediave e kësaj Ministrie, por edhe këta të fundit kanë ngurruar të japin detaje më të hollësishme rreth rastit në fjalë. Vjollca Dibra, zyrtare për media nga kjo Ministri, konfirmon gjobën që MTI-ja ia ka shqiptuar kompanisë në fjalë.
Po ashtu, ajo konfirmon se në bazë të të dhënave zyrtare, kompania në fjalë e importon vetëm një lloj të derivatit të naftës.
“Në bazë të informatave nga Dogana e Kosovës, kompania në fjalë importon një lloj të derivatit dizel”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”. (Gazeta Zëri)