Shtatori ende nuk ka përfunduar, e ndoshta as skandalet e partisë në pushtet. Vetëm brenda tri javëve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje u bë horë tre herë.
Duke filluar me 1-shin e famshëm të deputetit Dimal Basha në lëndën e Biologjisë. Më pastaj keqpërdorimin e detyrës nga ana e asamblistit të VV’së në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu.
E për të mbetur gojëhapur u kujdes Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe diploma e saj.
1’shi i Dimal Bashës
Deputeti Basha si nxënës i dobët në shkollën e mesme, nuk hezitoi t’i quajë mësimdhënësit “analfabetë” gjatë këtyre ditëve sa është duke u mbajtur greva në sistemin arsimor.
Ai nuk ka rreshtur së kundërshtuari që nga fillimi grevën e mësimdhënësve. Por, ndoshta kishte “harruar” notën e dobët në lëndën e Biologjisë, të cilën pasi iu nënshtrua riprovimit e bëri dysh.
“Ai ma ka lan 1-sh sepse unë kam qeshur edhe unë me atë inat nuk kam mësu atë lëndë.Unë po pranoj që s’kemi msu asgjë në shkollë të mesme. Asnjë send. Ne kemi shku aty me fletore I kemi mbahjtë ka 2-3 orë”, kishte thënë Basha në Kanal10.
Ishte shoku i tij i klasës që shpalosi detaje të reja rreth notave të dobëta që kishte marrë në vitin e tretë të shkollës së mesme. Ai thotë se Dimali deri vonë ka menduar se alfabeti i ka vetëm 27 shkronja.
“Bile, Dimalin e kam pas shok të klasës. Kohë të gjatë ka mendu qe alfabeti shqip i ka 27 shkronja”, kishte shkruar Gafurr Abdullahu.
30 dite burg për dhëndrrin e Liburn Aliut
Pas Bashës, skandali i ri erdhi nga asamblisti Berat Lahu dhe njëkohësisht edhe dhëndrri i Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut.
Lahu u arrestua para dy dite (të mërkuren) lidhur me rastin “Brezovica”. Sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar Gazeta Insajderi, ka kërkuar ryshfet në shumën prej 60 mijë eurove për të ndikuar tek zyrët e KEDS në Prishtinë. Me këto dy veprimi Lahu dyshohet se ka kryer vepren penale “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”
Asamblisti Lahu dyshohet se ka pranuar një dhuratë një pronë [tokë] në vlerën e 20 mijë eurove.
Lahu mbante pozitën e drejtorit të KEDS-it për distriktin e Ferizajt, sipas prokurorisë ka përfituar pronë e ka kërkuar ryshfet në këmbim të lidhjes së rrjetit të energjisë për vilat që po ndërtoheshin në zonën e mbrojtur me ligj në Brezovicë
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: Certifikatë e pronësisë (10 fletë) · Skicë (1 fletë) dhe · Telefon mobil, IPHONE 11 PRO, ngjyrë hiri.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Ushtrim i ndikimit” mund të dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.
Lahu sot u suspendua nga Vetëvendosja.
Masteri i Arberie Nagavcit që çuditi opionionin
Vulën kësaj jave ia dha e para e arsimit, Arbërie Nagavci.
Në rrjete sociale ka qarkulluar diploma e studimeve master të ministres Nagavci.
Ajo çka bie në sy është se ministres së Arsimit, e cila tash e disa ditë hedh kritika ndaj SBAShK-ut për grevën dhe kualitetin në arsim, iu deshën rreth 10 vite për t’i përfunduar studimet pasuniversitare.
Ajo i mbaroi këto studime me notën mesatare 6.46 në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Sipas diplomës, aty thuhet se Nagavci “u regjistrua në vitin akademik 2009/2010 në studimet master” dhe “studimet i mbaroi më 5 prill 2019”.
Pra, asaj iu nevojitën 10 vite për t’u pajisur me diplomë nga fakulteti.
Nagavci ka refuzuar të përgjigjet pyetjes për mesataren e ulët në studimet master dhe kohëzgjatjen e këtyre studimeve. Ajo është pyetur dhjetë herë për të njëjtën pyetje, por nuk ka dhënë përgjigje.
Ekipi i televizionit T7, ka ndjekur nga pas Nagavcin nga Ministria e Arsimit deri në Parlament duke ia kërkuar një përgjigje por ajo ka refuzuar.
Ministrja Nagavci vazhdimisht është shprehur e pakënaqur me sistemin arsimor në Kosovë dhe ka premtuar se do ta ndryshojnë gjendjen në sektorin e arsimit, mësimdhënësit e të cilit janë në grevë që nga 25 gushti./GazetaInsajderi.org