×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Gjobe apo burgim prej 1 deri në 8 vjet”, kjo është vepra penale për të cilën dyshohet dhëndri i ministrit Liburn Aliu

    Insajderi
    21 September 2022 - 10:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se është arrestuar Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

    Berat Lahu është dhëndri i ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut. Nga kjo ministri janë arrestuar edhe katër zyrtar të tjerë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prokurori Rasim Maloku tha se Lahu dyshohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

    Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Ushtrim i ndikimit” mund të dënohet  me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Sipas Neni 424, pika 1 thuhet se: 1. Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, me pretendimin se ai apo ajo është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, zyrtarit të huaj publik ose personit të huaj zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

    Ndërsa në piken 2 thuhet se:  2. Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër personit tjetër, në mënyrë që ky person të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, zyrtarit të huaj publik ose personit të huaj zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tetë (8) vjet.

    Insajderi raportoi më herët se janë arrestuar shtatë persona, katër zyrtarë dhe 3 biznesmen pas një operacioni që lidhet me rastin “Brezovica”.

    Zyrtarët e arrestuar janë 3 nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe një zyrtar i KEDS-it.

    Kontrolli po kryhet nën dyshimet e kryerjes së veprës penale ‘Marrje ryshfetit në ndihmë’, ‘Ushtrimi i ndikimit’, ‘Fajdeja’ dhe ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark