×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, Kryeministri: Qeveria s’do të resht së kërkuari të vërtetën për të zhdukurit

    Insajderi
    16 May 2023 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar profesorin Ukshin Hoti në 24 vjetorin e zhdukjes së tij.

    Ai ka thënë se Qeveria s’do të resht së kërkuari të vërtetën për të zhdukurit.

    “Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.

    Shkrimi i plotë i Kurtit:

    Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.

    Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë.

    Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

    Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.

    Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark