×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    3.7 milionë euro tender dhe shumë dallavere, çka po ndodhë me shtëpitë për të kthyerit në Kosovë?

    Insajderi
    21 July 2022 - 11:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbi 3.7 milionë euro janë kontraktuar vetëm në vitin 2020 nga Qeveria kosovare për projektin e ndërtimit të shtëpive të të kthyerve në Kosovë, kryesisht të komunitetit serb. Kush dhe si e fitoi tenderin? Sa shtëpi janë ndërtuar e si janë ndërtuar ato? Si u përfshinë në këtë punë edhe organizata ndërkombëtare? Një hulumtim i Insajderit tregon anën tjetër të shpenzimit të arkës së shtetit në emër të komuniteteve.

    Visar Duriqi

    2020-ta ishte vit pandemie, por Ministria për Kthim dhe Komunitetet ishte lëshuar në shpenzime milionëshe për një projekt që me vite po kritikohej nga Auditori i Përgjithshëm.

    Në tetor të atij viti, ky dikaster qeveritar lidhi kontratë prej mbi 3.7 milionë eurosh me një konzorcium kompanisë, “Premium – Ks” , pronë e Driton Bajramit dhe firmat  “2A Group “ e “2T – Dega në Kosovë”, pronë e Valon Ademit. Kontratën do ta nënshkruante vet ministri Dalibor Jevtiç. Kontrata ishte titulluar “Ndërtimi dhe renovimi i shtëpive për të kthyerit dhe komunitete në nevojë”.

    Vërejtjet serioze për Ministrinë për Komunitete e Kthim për këtë projekt kishin nisur që në vitin 2018 ku Zyra Kombëtare e Auditimit kishte treguar që kjo ministri në kushtet e tenderit nuk kishte kërkuar që sigurimi i këtij tenderi të ishte 60 mijë euro, sipas përqindjes që parasheh ligji, por vetëm 4 mijë euro.

    “Në projektin “Ndërtimi dhe renovimi i shtëpive për të kthyerit” me vlerë të parashikuar prej 6,000,000€, sigurimi i kërkuar i tenderit ishe 4,000€, e jo së pak 1% e vlerës së parashikuar të kontratës ashtu siç kërkohet. Shprehur në vlerë monetare do të duhej të ishte 60,000€”, thuhet në këtë raport.

    Derisa po zhvillohej tenderi në vitin 2020, që përfundoi me kontratë me firmat “Premium – Ks” dhe firmat  “2A Group “ e “2T – Dega në Kosovë”, edhe Agjencia Kundër Korrupsion bëri vërejtjet e saja se Ministria kishte vendosur kritere që përjashtonin një sërë kompanish edhe nga vet gara.

    Transaksionet e pashpjeguara mes Qeverisë e IOM-it

    Insajderi tash e disa muaj, po për projektin e ndërtimit të shtëpive për të kthyerit nga kjo ministri kishte pranuar informacione se po vazhdonin transaksione të dyshimta mes vet ministrisë në fjalë dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

    IOM as pas disa muajsh pritje nuk ka pranuar të komentojë për mënyrën se si I mori paratë nga Qeveria e si I shpenzoi ato, njëjtë siç ka vepruar edhe Qeveria kosovare. Asnjë koment.

    Për Insajderin Auditori kishte konfirmuar se është duke e audituar pot ë njëjtin transaksion. Të gjeturat I ka bërë publike.

    MKK dhe IOM në tetor të vitit 2018 kanë nënshkruar marrëveshje për “Mbështetjen financiare për aktivitetet e projektit Kthimi dhe Ri-integrimi në Kosovë”, sipas së cilës Qeveria do të sigurojë mbështetje financiare 2,750,000 euro ndërsa Bashkimi Evropian do të financoj me 8,000,000 euro.

    Me këtë marrëveshje parashihej që zbatimin e plotë të projektit do ta realizoj IOM-i, kurse MKK do të njoftohet përmes raportimit në lidhje me progresin e projektit që ndërlidhet me fondet e transferuara nga MKK.

    “Me fondet e MKK do tu ofrohet mbështetje financiare (ndërtim i shtëpive) për 98 familje. Projekti ishte paraparë të përfundoj me 31 maj 2021 por ishte vazhduar deri në fund të vitit 2022. MKK deri në maj të vitit 2022 ka transferuar shumën prej 2,500,000€. Sipas nenit 5.2 të marrëveshjes IOM do t’i dërgojë MKK raporte mujore, raporte vjetore narrative/financiare dy muaj pas çdo viti, dhe raportin final gjashtë muaj pas përfundimit të projektit”, thuhet në raport.

    Deri në fund të vitit 2021 ishin përfunduar vetëm 35 shtëpi me mjetet financiare në vlerë prej 1,000,000 euro të transferuara nga MKK në vitin 2018.

    “Vonesat në përmbushjen e objektives të paraparë me marrëveshje vërehen nga fakti që përkundër që MKK kishte transferuar 500,000€ në dhjetor 2020 dhe 500,000€ në shtator 2021, deri në fund të vitit 2021 nuk kishte ndërtime tëreja”, thuhet në raportin e ZKA, për cka IOM nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga Insajderi.

    Nga vizitat në terren nga ekipi i auditimit në qershor 2022 ishte gjetur se procesi për ndërtimin e 22 shtëpive tjera ishte në fazën fillestare, kishte filluar tek në maj të vitit 2022.

    Edhe pse raportimi nga IOM-i ishte i rregullt, me letra, del që Qeveria nuk ka kërkuar llogaridhënie për vonesat në realizimin e ndërtimeve të reja me fondet e paguara nga ana e tyre.

    As Auditori në raport, por as Ministria për Komunitete e Qeveria e Kosovës, dhe as vet organizata IOM nuk kanë treguar se pse paratë e arkës së shtetit u bartën tek kjo organizatë kur për projektin e ndërtimit të shtëpive Qeveria veçse e ka një firmë private të kontraktuar me një kontratë prej mbi 3.7 milionë eurosh.

    Dallaveret që i gjeti auditori ndër vite

    Edhe në vitin 2019 auditorët e jashtëm do të gjenin plotë parregullsi në kuadër të projektit qeveritar “Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit”

    Në një rast fshatin Preoce – Graçanicë, ata gjeten se derisa shtëpia ende nuk ishte përfunduar në tërësi, pagesat veç ishin kryer në favor të kompanisë që e ndërtoi. Gjetën që shtëpia e paguar nuk kishte të lidhur sistemin e ujësjellësit, derisa izolimi i saj nga materiali 5 centimetra izolator që kërkohej me kontratë ishte vendosur material 3 centimetra.

    Njëjtë gjetën në një rast tjetër në Shtërpcë, pagesat u kryen pa u përfunduar shtëpia, dhe ato punë që ishin kryer ishin bërë me shumë shkelje të kontratës.

    “Vlen të theksohet se pagesat ishin ekzekutuar bazuar në raportet e menaxherëve regjional të kontratës. Me datën 01.03.2019 ne kemi ekzaminuar punimet në terren dhe kemi vërejtur se punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kontratës”, thuhet në raport dhe tregohet që  menaxherët regjional të kontratës kishin nënshkruar raportet që punët janë përfunduar në muajin dhjetor të vitit 2018 përderisa ato nuk ishin finalizuar.

    Aty bëhet me dije se në vitin 2019 Ministria për Komunitete nga 6.9 milionë euro buxhet për investime kapitale 6.6 milionë i shpenzoi me projektet për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit, projektet për furnizim me material ndërtimor për komunitetin serb në shumicën e rasteve dhe financime të projekteve tjera që ndërlidhën me komunat si Komuna e Shtërpcës dhe Komuna e Novobërdës.

    Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë filloi pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kur më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës të dëbuar gjatë luftës fillimisht u kthyen, e në të njëjtën kohë u larguan serbët.

    Sipas legjislacionit, të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen në Kosovë dhe për këtë i ndihmon vetë shteti i Kosovës.

    Vijnë, i marrin shtëpitë dhe pastaj i shesin ato

    Sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila ka funksionuar që nga viti 2005, rreth 226,000 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, ikën nga shtëpitë e tyre pas konfliktit të qershorit 1999 në Kosovë. Ndërkohë, janë kthyer rreth 30 mijë qytetarë, por nuk ka të dhëna të sakta për ata që janë larguar sërish apo i kanë shitur pronat e tyre.

    Për procesin e kthimit, ndërtimit të shtëpive me para të shtetit, dhe në disa raste ato shtëpi të shiten përsëri nga përfituesit, javë më parë ka raportuar Radio Evropa e lirë.

    Sipas këtij raportimi, derisa po bëhen përpjekje për t’i kthyer serbët e zhvendosur nga Kosova në vendet e tyre nga ku u larguan pas luftës së vitit 1999, ata të cilëve iu është mundësuar kthimi, po i shesin shtëpitë e reja të ndërtuara ose të rinovuara.

    Vetëm në vendbanimin e Prizrenit, Nënkalaja, që nga viti 2010 janë ndërtuar 34 shtëpi me mjete të Ambasadës Britanike në Kosovë. Megjithatë, aktualisht vetëm në tri prej tyre ka banorë, ndërsa pjesa tjetër janë të braktisura dhe disa janë shitur.

    “Si zyrtar, nuk jam i kënaqur me zgjedhjen e përdoruesve, njerëzve të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë dhe nuk jetojnë në to, dhe më shumë jam i pakënaqur me faktin se shtëpitë e reja po shiten”, kishte deklaruar zyrtari për kthim në Komunën e Prizrenit, Spasa Andrejeviq.

    Ai tregoi për REL se personat e zhvendosur nuk nënshkruajnë asnjë kontratë kur vendosin të kthehen, që do të thotë se asgjë nuk i pengon ata ta shesin pronën e tyre.

    Personave të zhvendosur nga Kosova iu ndërtohen shtëpitë me fondet e organizatave ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, por edhe të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    Disa nga kushtet për kthimin e familjeve të shpërngulura janë që ata të posedojnë pronë që është shkatërruar, pa pasur pronë tjetër dhe të mos kenë shitur asgjë.

    Ministria kompetente ofron edhe të ashtuquajturat ‘paketë ndihme’ që parashikon rindërtimin e shtëpisë në varësi të numrit të anëtarëve, orenditë, ushqim për një periudhë të caktuar dhe ndihmën socio-ekonomike.

    Pos në Prizren, shtëpitë e të rikthyerve janë shitur edhe në Klinë. Sipas zyrtarëve të kësaj komune, “shitja po ndodh sepse kryesisht të moshuarit kthehen, por pas një kohe vendosin të shkojnë sërish në Serbi”.

    Loja me fjalë e politikanëve serb nga Kosova e Beogradi

    Më 19 maj në Beograd, Ministri për Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq u takua me familjet e zhvendosura nga komuna e Prizrenit dhe ajo e Pejës, të cilëve u dha mbështetje për kthimin e tyre në Kosovë. Në mesin e të pranishmëve ka qenë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    “Dyzet prej tyre (familjet) sot morën mbështetje për t’u kthyer në Kosovë. Shumica e tyre do të kthehen në Kosovë përmes Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM)”, kishte shkruar Rakiq në llogarinë e tij në Facebook.

    Siç është paralajmëruar, ministri Rakiq u ka thënë familjeve se kanë mbështetjen absolute të ministrisë, e cila po bën që ata të kthehen në vendet ku kanë jetuar pas më shumë se dy dekadash.

    “Besoj se kjo është një ditë e madhe për familjet, por edhe për ne, sepse vetëm kështu mund t’i çojmë gjërat përpara kur është fjala për kthimin, i cili ka kohë që ka ngecur”, tha Rakiq.

    E drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, pati deklaruar se edhe Qeveria e Serbisë do t’i ndihmojë të zhvendosurit që kthimi i tyre të jetë i qëndrueshëm.

    “Ne kemi programe të shumta për të zhvendosurit përmes ndihmës në materiale ndërtimore, ndihmë financiare, mbjellje dhe material bujqësor, ndihmë juridike falas”, tha Petkoviq.

    Përveç faktit se të kthyerit i shesin shtëpitë e tyre pas ndërtimit dhe rinovimit, shumë serbë të zhvendosur vendosin të largohen përsëri pas “kthimit” dhe shtëpitë mbeten bosh.

    Milomir Ribaq, një nga organizatorët e kthimit kolektiv të serbëve të zhvendosur në Dresnik afër Klinës, i kishte thënë REL-it se 41 shtëpi janë ndërtuar për serbët në këtë vend ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, porse shumica nuk jetojnë më atje.

    Sipas tij, shtëpitë që nuk janë shitur, janë braktisur për shkak se të kthyerit largohen pasi kanë marrë ndihmë dhe shtëpinë. “Marrin donacione për bujqësinë dhe shkonin, e shisnin atë dhe largohen”, tregon ai./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark