×
  • Lajme
  • Lajme

    “30 ditë paraburgim – Në gjendje të rëndë shëndetësore” – Këto janë informacionet e reja për kosovarin e arrestuar nga Serbia

    Insajderi
    19 April 2024 - 18:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 17 prill, autoritetet serbe kanë ndaluar Sadik Durakun nga fshati Dumjan – komuna e Gjakovës, nën dyshime për krime lufte.

    Rasti u konfirmua edhe nga familjarët dhe të afërmit e Durakut.

    Ai ishte duke u kthyer në Kosovë, pasi që prej vitesh jeton në Angli dhe arrestimi i tij ka ndodhur në pikën kufitare në Horgosh.

    Lidhur me këtë rast, informacione më të detajuara ka dhënë Leutrim Sahiti nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Në një përgjigje të Gazeta Insajderi, Sahiti ka konfirmuar arrestimin e Durakut nën dyshimin për “krime lufte.

    “Në lidhje me pyetjet tuaja deklarojmë se sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. Ai ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale”, thuhet në përgjigjen e Sahitit.

    Sahiti po ashtu tregon se ndaj Sadik Durakut është shqiptuar parabugim prej 30 ditësh.

    “Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit. Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”, thuhet ndër të tjera.

    Derisa, ai ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Sadik Durakut nuk është aspak e mirë.

    “Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse. Ndërkohë, Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari poashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin. Ambasadori Jashari poashtu ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij e cila pritet të realizohet ditët në vijim”, përfundon përgjigja e Sahitit dhënë për Gazeta Insajderi.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark