Të pandehurit në rastin e grupit të dyshuar kriminal të lidhur me Demë Elshanin kanë dhënë deklaratat e tyre para gjykatës, ndërsa disa prej tyre kanë mohuar përfshirjen në planifikimin e veprave penale për të cilat ngarkohen.
Gazeta Insajderi kishte raportuar më herët, bazuar në dosjen e Prokurorisë, se në këtë rast përmenden disa persona, përfshirë Mentor Dreshajn, Leon Dizdarin, Ardian Gashin, Qëndrim Elshanin dhe Faruk Osajn. Sipas dosjes, hetimet kishin ngritur dyshime për planifikim të vrasjes së Sh.H. dhe sulmeve ndaj anëtarëve të familjes Buçuku.
Në deklaratat e dhëna para organeve të drejtësisë, të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, të pandehurit kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me kontaktet mes tyre, armën e sekuestruar dhe bisedat për vrasje apo plagosje.
Mentor Dreshaj: Pranon bisedat për vrasje dhe dorëzimin e kallashnikovitMentor Dreshaj, i cili më 29 janar 2025 ishte ftuar për intervistim nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe kishte heshtur në prani të avokatit të tij, më 22 prill 2026 ka dhënë deklaratë para gjykatës.
Dreshaj ka deklaruar se njeh Qëndrim Elshanin, Ardian Gashin dhe Auron Gashin, ndërsa ka mohuar se njeh Faruk Osajn.
Sipas deklarimit të tij, me Ardian Gashin kishte raporte të afërta shoqërore dhe kontakte të vazhdueshme. Ai ka pranuar se bashkërisht kishin konsumuar substanca narkotike, ndërsa ndaj Gashit kishte edhe një detyrim financiar prej 4 mijë eurosh.
Për Qëndrim Elshanin, Dreshaj ka thënë se kishte filluar të shoqërohej me të pas disa ngjarjeve të publikuara në media dhe se kontaktet mes tyre ishin intensifikuar me kalimin e kohës.
Sa i përket Demë Elshanit, ai ka deklaruar se fillimisht kishte pasur kontakte indirekte e më pas komunikime telefonike me të, por ka mohuar takimet fizike. Sipas tij, komunikimet kishin qenë kryesisht të natyrës personale dhe familjare.
Dreshaj ka mohuar se Demë Elshanit i kishte siguruar armë apo para, apo se e kishte porositur për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Megjithatë, ai ka pranuar se kishte zhvilluar biseda me Ardian Gashin lidhur me vrasjen e Shkodran Hysenit dhe me vëllezërit Buçuku.
Në këto biseda, sipas deklarimit të tij, ishte përmendur shuma prej 30 mijë eurosh për vrasje dhe 7 mijë eurosh për plagosje.
Dreshaj ka deklaruar se i kishte premtuar Gashit edhe dorëzimin e një arme të tipit AK-47, por ka pretenduar se bisedat kishin qenë vetëm marrëveshje paraprake dhe se nuk kishte pasur qëllim real për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Sipas tij, qëllimi ishte që të përfitonte nga Ardian Gashi për borxhin financiar dhe të siguronte mbështetjen e tij për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllait të tij.
Dreshaj ka pranuar se arma AK-47 ishte në pronësi të tij dhe se më 29 janar 2025 ia kishte dorëzuar Ardian Gashit në afërsi të hekurudhës në Llabjan.
Ai gjithashtu ka pranuar se ishte fotografuar disa herë me këtë armë dhe se fotografitë ishin gjetur në telefonin e tij.
Në fund, Dreshaj nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohet, duke mohuar se Demë Elshani ishte organizator i ngjarjeve objekt hetimi dhe se kishte marrë para prej tij.
Edhe Leon Dizdari ka dhënë deklaratë në gjykatë.
Ai ka deklaruar se jeton në Nabërgjan dhe merret me shitblerjen e druve dhe bujqësi. Ka pranuar se njeh Ardian Gashin, Qëndrim Elshanin dhe Auron Gashin, ndërsa ka mohuar njohjen me Faruk Osajn.
Sipas tij, me Ardian Gashin ishte njohur përmes shitblerjes së druve, ndërsa me Qëndrim Elshanin dhe Auron Gashin ishte njohur në rrethana që lidhen me një rast tjetër penal.
Dizdari ka mohuar se kishte raporte të afërta shoqërore me ta dhe ka thënë se pas atij rasti nuk kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme.
Ai ka deklaruar se nuk e njeh personalisht Demë Elshanin dhe se nuk kishte pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë apo telefonik me të, por ka pranuar se babai i tij, Mentor Dreshaj, kishte komunikuar me Elshanin.
Dizdari ka pranuar gjithashtu se Ardian Gashi kishte shkuar në shtëpinë e tyre për shkak të një obligimi financiar lidhur me blerjen e një automjeti nga babai i tij.
Ai ka mohuar të ketë marrë pjesë në biseda apo planifikime për vrasjen e Shkodran Hysenit apo vëllezërve Buçuku, si dhe ka mohuar se kishte diskutuar për pagesa prej 30 mijë eurosh për vrasje apo 7 mijë eurosh për plagosje.
Megjithatë, kur është ballafaquar me bisedat e evidentuara nga masat e fshehta hetimore, Dizdari ka mohuar se ka qenë pjesë e ndonjë grupi apo marrëveshjeje për kryerjen e veprave penale.
Në këto biseda, sipas materialeve të procedurës, pretendohet se ishte diskutuar edhe për përdorimin e kallashnikovit dhe sulmet ndaj familjes Buçuku.
Dizdari ka pranuar se në shtëpinë e tyre kishte armë dhe se ishte fotografuar duke shtënë me armë zjarri gjatë natës së Vitit të Ri.
Ai ka deklaruar gjithashtu se më 29 janar 2025, me kërkesë të babait të tij, e kishte transportuar atë me veturë deri në afërsi të hekurudhës në Nabërgjan, ku Mentori ishte takuar me Ardian Gashin. Sipas tij, vetëm babai kishte dalë nga automjeti për t’u takuar me Gashin.
Gazeta Insajderi kishte raportuar më herët se, sipas dosjes së Prokurorisë, Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari dyshoheshin se kishin planifikuar t’ia jepnin një kallashnikov Ardian Gashit për përdorim në një vrasje ose plagosje.
Faruk Osaj është intervistuar nga hetuesit në prill dhe gusht të vitit 2025, ndërsa më 4 qershor të 2026-ës janë deklaruar në gjykatë.
Në këtë intervistim, Osaj ka deklaruar se i kishte kuptuar të drejtat e tij ligjore dhe se ishte konsultuar me avokatin Leotrim Shala. Ai ka zgjedhur të mbrohej në heshtje.
Edhe avokati i tij ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të shtuar, duke respektuar vendimin e klientit.
Në anën tjetër, Ardian Gashi më 8 qershor ka deklaruar se, pas konsultimit me avokatin Bledar Gashi, do ta shfrytëzonte të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Megjithatë, në deklarimin e tij lidhur me armën e gjetur në automjetin që përdorte, Gashi ka dhënë shpjegime për mënyrën se si ajo kishte përfunduar në veturë.
Ai ka deklaruar se armën e kishte pranuar nga Mentor Dreshaj në mirëbesim, pasi ky i fundit i kishte kërkuar ta mbante për disa ditë, me arsyetimin se do të udhëtonte në Shqipëri.
Gashi ka thënë se me Dreshajn njihej prej rreth katër vitesh dhe se më herët i kishte shitur një automjet, për të cilin ende nuk ishte paguar plotësisht.
Sipas tij, gjatë bisedës telefonike nuk kishte qenë në dijeni se çfarë objekti do të pranonte dhe vetëm në momentin e takimit kishte kuptuar se bëhej fjalë për armë zjarri.
Ai ka deklaruar se qëllimi ishte vetëm t’i kryente një shërbim Dreshajt, ndërsa ka thënë se e pranon se kishte gabuar dhe ka kërkuar falje.
Gashi ka deklaruar se arma ishte dorëzuar në hyrje të Nabërgjanit, afër shtëpisë së Mentor Dreshajt, i cili, sipas tij, e kishte vendosur armën në pjesën e pasme të automjetit dhe i kishte kërkuar ta mbante për dy ose tri ditë.
Në momentin e dorëzimit, sipas Gashit, Mentor Dreshaj ishte i shoqëruar nga djali i tij, Leon Dizdari.
Ai ka mohuar se kishte pasur ndonjë marrëveshje me Dreshajn për kryerjen e ndonjë pune.
Gashi ka deklaruar gjithashtu se nuk i njeh Qëndrim Elshanin dhe Demë Elshanin, ndërsa për këtë të fundit ka thënë se kishte dëgjuar vetëm përmes mediave.
Sipas deklarimit të tij, rreth dy vjet më parë ndaj tij ishte zhvilluar një procedurë penale për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, lidhur me të shtënat ndaj objektit të familjes Buçuku, por kishte përfunduar me shpalljen e pafajësisë për mungesë provash.
Në fund, ai ka deklaruar se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nuk ishte gjetur armë tjetër dhe se nuk kishte qenë në dijeni se veprimi me armën përbënte vepër penale.
Sipas dosjes së Prokurorisë të raportuar më herët nga Insajderi, ky rast lidhet me dyshimet për një grup kriminal që kishte planifikuar vrasje dhe sulme me armë zjarri e mjete shpërthyese. Në aktakuzën e dorëzuar në korrik të 2026-ës, PSRK-ja ka thënë se gjashtë të pandehur dyshohen se gjatë periudhës dhjetor 2024–shkurt 2025 kishin planifikuar vrasjen e një personi dhe sulme ndaj bizneseve të lidhura me viktimat. /Insajderi.org/
Të gjitha deklaratat e mësipërme janë versione të të pandehurve të dhëna gjatë procedurës penale dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të fajësisë së tyre.