Insajderi
Analiza

Rasti në Pejë ku njerëz të lidhur me Demë Elshanin po dyshohen për planifikim vrasjeje, Supremja vendos që të ndërpritet paraburgimi: U tejzgjat

Insajderi
06 November 2025 - 15:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rasti në Pejë ku njerëz të lidhur me Demë Elshanin po dyshohen për planifikim vrasjeje, Supremja vendos që të ndërpritet paraburgimi: U tejzgjat
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në rastin e njohur që lidhet me persona të dyshuar për organizim të grupit kriminal dhe përgatitje për vrasje në Pejë, ku figuron emri i Demë Elshanit si i dyshuar potencial në krye të strukturës, Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim më datë 5 nëntor.

Në aktgjykim, Gjykata Supreme: Pranoi kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve. Anuloi aktvendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit të Kosovës, për shkak të procedurave të paarsyeshme dhe për pjesën që lidhet me vazhdimin e paraburgimit (neni 187 të Kodit të Procedurës Penale). Ktheu çështjen për rishqyrtim në instancën e parë, duke urdhëruar që masa e paraburgimit të rivlerësohet me kërkesë të Prokurorisë dhe arsyetim të ri. Vendosi që deri në marrjen e një vendimi të ri, të pandehurit të mbeten në paraburgim.

Ky vendim nënvizon se nuk ka pasur lirimin e të pandehurve nga paraburgimi nga Gjykata Supreme — përkundrazi, vendimi aktual vetëm anulon procedurat e mëparshme dhe parasheh rivendosje, ndërsa paraburgimi vazhdon.

Gjykata Supreme ka thënë se aktvendimi i Themelores për masën e paraburgimit nuk ka përcaktuar rrethanat konkrete dhe ka tejkaluar afatin ligjor.

“Gjykata Supreme vlerëson se janë të bazuara pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, se aktvendimet e kundërshtuara janë të përfshirë me aplikim të gabuar të dispozitës së nenit 187 paragrafi 2 të KPP-së, pasi që gjykatat e instancave më të ulëta, me rastin e vazhdimit të paraburgimit ndaj të pandehurve, me datën 21.10.2025 e kanë tejkaluar afatin ligjor të përcaktuar me nin 187 paragrafi 2 të KPP-së dhe për këtë nuk kanë dhëë arsye dhe nuk i kanë specifikuar rrethanat konkrete“, thuhet në arsyetim të aktgjykimit të Supremes.

Mbrojtësi i pandehurit Shpend Kelmendi ka pretenduar se i dyshuari s’ka pasur asnjëherë kontakte me të dyshuarin kryesor dhe se s’e njeh Adem Elshanin.

“Nuk ekziston rreziku i ikjes se i njëjti është shtetas i Kosovës dhe punon në Kosovë, asnjëherë nuk ka pasur kontakte me të dyshuarin kryesor ose me persona tjerë të cilët jetëojnë jashtë Kosovës, se vazhdimi i paraburgimit mbi bazën se hetimi është ende në fazën fillestare nuk është real sepse faza fillestare tash e tetë muaj nuk mund të quhet. Ndikimi në dëshmitarë është supozim për arsye se i pandehuri nuk e njeh të bashkëpandehurin tjetër Adem Elshani e lëre më dëshmitarët e tjerë“, citohet të ketë thënë mbrojtja e Kelmendit në ankimimin drejtuar Supremes.

Së këndejmi Gjykata Supreme ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë që në rivendosje të kërkojë nga prokurori që ta arsyetojë kërkesën për vazhdimin e paraburgimit dhe të marrë vendim lidhur me të.

Pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Gazeta Insajderi ka kontaktuar avokatin Ngadhnjim Makolli, i cili ka konfirmuar se gjykata ka miratuar kërkesën e avokatëve për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me zgjatjen e paraburgimit të klientëve të tyre.

Makolli theksoi se kundërshtimi i ligjshmërisë së vazhdimit të paraburgimit të klientit ishte pjesë e një përpjekjeje për të rikthyer procesin hetimor në kornizat e ligjshmërisë dhe për të siguruar trajtim të drejtë e të barabartë për të gjitha palët në procedurë.

“Jam i kënaqur me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila pranoi kërkesën tonë për mbrojtje të ligjshmërisë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të të drejtave themelore të palëve në procedurë. Vendimi dërgon një mesazh të qartë se hetimet duhet të zhvillohen në mënyrë efikase dhe se masa e paraburgimit nuk duhet të jetë në mospërputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), dhe në asnjë rast nuk mund të shndërrohet në një dënim të parakohshëm,” deklaroi Makolli për Gazetën Insajderi.

Sipas tij, ky vendim pritet të ndikojë edhe në trajtimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen, duke forcuar respektimin e parimeve ligjore dhe të drejtave të të pandehurve.

Dosja e Prokurorisë për të dyshuarit Bazuar në dosjen e prokurorisë, Demë Elshani është porositësi dhe financuesi i sulmit, Dardan Ramqaj është përgjegjës për realizimin e planit, Fatos Qallaku siguron mbështetjen logjistike, Shpend Kelmendi ka për detyrë të shoqërojë ekzekutorin e sulmit deri në vendin ku do të ndodhte vrasja dhe pastaj ta largonte në një vend të sigurt, Demokrat Muçaj siguron një person nga Shqipëria për të vendosur dinamitin dhe për të kryer sulmin.

Çka thuhet në dosje?

Roland Beqiri dhe Dardan Ramqaj kishin për detyrë të inskenonin një situatë ku dy persona me veturë të lëviznin afër bizneseve të familjes B…., për të tërhequr vëmendjen e policisë, ndërsa sulmi të realizohej në anën tjetër.

“Më 21.02.2025, Dardan Ramqaj i ka raportuar një personi NN (të panjohur) për një incident gjatë ditës, duke thënë: “Unë dola me motrën, u takuam me atë njërin, pimë kafe dhe më tha runu se keni qenë në përgjime dhe përcjellje” Për këtë shqetësim, ka kontaktuar Demë Elshanin, i cili e ka këshilluar që të mos ndërmerrte veprime të nxituara dhe të vepronte me kujdes”.

“Më 21 shkurt të 2025, në orën 21:35, ishte kryer një kontroll policor, ku janë sekuestruar disa sende nga të pandehurit: Dardan Ramqaj: Pistoletë me mbishkrimin PPU 32 Auto, 6 fishekë, Telefon Samsung A60. Fatos Qallaku: Telefon Samsung Galaxy A24, Telefon Samsung Galaxy A51, Sasi e vogël e dyshuar për kokainë, Kapelë koke (që e ka bartur në një operacion), DVR i sekuestruar nga një biznes. Roland Beqiri: Pistoletë Ekol FIRTACOMPACT, Një karikator, Telefon Samsung Galaxy A13, SIM kartelë IPKO. Shpend Kelmendi: Armë e shkurtër Canik me numër serik T6472-20B01, Dy karikatorë me 20 fishekë, Armë e gjatë Zastava me numër serik 97878, 20 fishekë të kalibrit 5.56 mm, Telefon iPhone 14, SIM kartelë IPKO. Demokrat Muçaj: iPad Apple, Fletëdërgesë Wunion, Telefon Nokia, Dy granata dore F1, Lugë detonator mekanik me numër serik 123462”.

Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi dhe Roland Beqiri janë ndaluar në biznesin e Fatos Qallakut, i cili ndodhet në rrugën transit pranë KFOR-it.

I pandehuri Dardan Ramqaj është arrestuar në veturë, afër pompës DHF, ndërsa i pandehuri Demokrat Muçaj është arrestuar në Deçan./Insajderi.org


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark